Shpërthim vdekjeprurës në Afganistan

Një shpërthim masiv vetëvrasës në krahinën jugore Helmand në Afganistan, la pas vetes të paktën 29 të vrarë dhe mbi 60 të plagosur.

Dëshmitarët thanë se ushtarë dhe punonjës të qeverisë ishin mbledhur para Bankes së re të Kabulit në Lashkargah, kryeqytet i krahinës, kur shpërtheu makina bombë.

Zëdhënësi i qeverisë krahinore, Omar Zwak, i tha Zërit të Amerikës se disa nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë. Ai tha se në mesin e viktimave kishte civilë dhe personel ushtarak.

Sulmi vdekjeprurës ndodhi pak para kremtimeve të së shtunës të festës së Bajramit, që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të ramazanit.

Ende askush nuk e mori përgjegjësinë për sulmin.

Helmandi është krahina më e madhe e Afganistanit, pjesa më e madhe e së cilës kontrollohet ose është nën ndikimin e talibanëve.