Hollande: Asnjë i mbijetuar nga avioni algjerian

Presidenti francez, Francois Hollande thotë se nuk është gjetur asnjë i mbijetuar nga rrëzimi i avionit të agjencisë Air Algerie, që u rrëzua dje në Mali, gjatë rrugës nga Burkina Faso për në Algjeri, me 118 persona në bord.

Një njësi ushtarake franceze është dërguar për të siguruar mbeturinat e avionit, me të cilin po udhëtonin 51 shtetas francezë.

Presidenti Hollande thotë se një kuti e zezë është gjetur dhe hetimi po vazhdon. Arsyeja e rrëzimit nuk është përcaktuar, por zyrtarët francezë besojnë se ka qenë koha e keqe.

Terrorizmi nuk është përjashtuar si mundësi, meqenëse dihet që ka militantë në atë zone, por zyrtarët thonë se nuk ka shumë gjasa që avioni të ketë shpërthyer në ajër.