Përplasje SHBA-Brazil për subvencionet në mbështetje të fermerëve

  • Stiv Baragona

Përplasje SHBA-Brazil për subvencionet në mbështetje të fermerëve

Taksapaguesit amerikanë së shpejti mund të fillojnë të subencionojnë pambukun e fermerëve brazilianë për të mbrojtur fitimet e kompanive farmaceutike amerikane. Kjo mund të jetë një nga format për të analizuar marrëveshjen e re që synon t’i japë fund përplasjeve mes Shteteve të Bashkura dhe Brazilit brenda Organizatës Botërore të Tregtisë. Është hera e parë që Shtetet e Bashkuara ndëshkohen për subvencionimin e sektorit bujqësor. Por marrëveshja nuk ka bindur plotësisht disa ekspertëve të bujqësisë.

Me vite, kultivuesit e pambukut në vendet në zhvillim janë ankuar mbi subvencionet që fermerët amerikanë marrin nga qeveria e tyre. Qeveria amerikane dëshiron të ndihmojë fermerët amerikanë të konkurojnë më mirë në tregun botëror. Kështu që ata i japin ndihmë financiare kompanive amerikane të eksportit për të ulur çmimet e të gjitha produkteve bujqësore përfshirë drithërat, sojën, prodhimet e bulmetit dhe pambukun. Kjo e ul çmimin global të pambukut, thotë David DeGennaro nga Grupi i Punës për Mjedisin.

“Për fermerët e Afrikës nënsaharjane të cilët kanë të ardhura shumë të ulëta, një zbritje e vogël e çmimit e shkaktuar nga subvencionet amerikane sjell vështirësi të mëdha.”

Më 2002, disa vende afrikane bashkuan forcat me Brazilin duke e paraqitur çështjen e subvioncimit të pambukut amerikan në Organizatën Botërore të Tregtisë. Megjithëse ata e fituan betejën mbi këtë çështje, Shtetet e Bashkuara nuk i kanë pezulluar subvencionet. Si rezultat, Organizata Botërore e Tregtisë thotë se Brazili mund të hakmerret duke rritur tarifat e importit ndaj prodhimeve bujqësore amerikane.

Brazili është eksportues i madh i prodhimeve bujqësore dhe nuk blen sasi të mëdha të prodhimeve bujqësore amerikane. Si rezultat, Brazili po shqyrton mënyra tjera për t’iu përgjigjur vendimit të Shteteve të Bashkuara, thotë David Orden nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime mbi Politikat Ushqimore:

“Për të ushtruar presion më të madh mbi Shtetet e Bashkuara, ata nuk duan të hakmerren vetëm me prodhime bujqësore.”

Brazili dëshiron t’i japë një goditje të fuqishme Amerikës duke u kufizuar amerikanëve të drejtën e autorit për prodhimet farmaceutike dhe programet kompjuterike. Këtë vit, Organizata Botërore e Tregtisë i ka dhënë Brazilit të drejtën për shfrytëzim të lirë të artikujve të pronës intelektuale me vlerë 260 milionë dollarë. Zoti Orden thotë se zyrtarët amerikanë nuk do ta lejojnë këtë.

“Për të mos lejuar që Brazili të hakmerret ndaj Amerikës, Shtetet e Bashkuar kanë gjetur një mënyrë që pak a shumë është një formë rryshfeti për qeverinë braziliane, që ta bindin atë të mos hakmarret. Në shkëmbim, Amerika ka bërë një numër premtimesh”.

Senati amerikan ka rënë dakord të krijojë një fond prej 147 milionë dollarësh për të ndihmuar fermerët në Brazil dhe vende tjera që t’i përmirësojnë prodhimin.

Nënsekretari Amerikan i Bujqësisë Jim Miller thotë se kjo marrëveshje do të ndihmojë që Shtetet të Bashkuara të vazhdojnë të kenë qasje në tregun brazilian, ku po eksportohen gjithnjë e më shumë prodhime amerikane.

“Duke marrë parasysh faktin se niveli i masave ndëshkuese mund të rritet vitin tjetër, ne kemi marrë masa mbrojtëse për një numër të madh produktesh, përfshirë të drejtën e autorit.”

Por David DeGennaro nga Grupi i Punës për Mjedisin thotë:

“Është disi qesharake që taksapaguesit amerikanë do të subvencionojnë fermerët brazilianë të pambukut në mënyrë që të mbajnë në fuqi subvencionimin e fermerëve të tyre. Është një situatë paradoksale.”

Edhe Dave Samonsen nga Federatës së Fermerëve Amerikanë, një shoqatë që përfaqëson interesat e fermerëve amerikanë, nuk e përkrah ndihmën amerikane për Brazilin.

“Në negociata, Brazili kërkuar pikërisht këtë gjë dhe negociatorët amerikanë ranë dakord. Është pak a shumë një praktikë e re, që ndoshta mund të vazhdojë të shfaqet më shpesh në të ardhmen.”

Programet amerikane për subvencionimin e misrit, grurit, dhe kulturave tjera janë të ngjashme me subvincionet e pambukut. Pra, nëse Kongresi nuk shkurton programet e subencionimit, Shtetet e Bashkuara mund të ballafaqohen me beteja të ngjashme në Organizatën Botërore të Tregtisë. Kjo mund të ndezë debate të ashpra politike në vend me lobin e fuqishëm të fermerëve. Por duke marrë parasysh se defiçiti ka arritur shifra rekorde, disa analistë thonë se subvencionet bujqësore mund të shkurtohen në vitin 2012 kur i skadon afati ligjit aktual.