Kamboxhia: Një gjykatë për krime lufte dënon një ish udhëheqës të Kmerëve të Kuq me 19 vjet burg

  • Zëri Amerikës

Në Kamboxhia, një gjykatë për krime lufte e mbështetur nga Kombet e Bashkuara gjeti fajtor një ish udhëheqës të Kmerëve të Kuq për një numër krimesh kundër njerëzimit dhe e dënoi atë me 19 vjet burg.

Prokurorët kishin kërkuar dënimin me 40 vjet burg për komandantin Kaing Guek Eav, i cili njihet më mirë me pseudonomin "Duch", por gjykata dha fillimisht dënimin me 35 vjet burg dhe e uli atë në 19 vjet, duke pasur parasysh disa rrethana lehtësuese si shprehja e keqardhjes, bashkëpunimi me gjykatën dhe koha e qëndrimit deri tani në burg.

Ulja e dënimit u prit me shprehje të pakënaqësive të mëdha dhe emocioneve të thella nga të afërmit e viktimave të ish komandantit "Duch." Të paktën 14 mijë njerëz, shumë prej tyre pas torturave të rënda, humbën jetën në burgun famkeq Tuol Sleng, që administrohej nga i dënuari.

"Duch" është i pari mes 5 udhëheqësve të lartë të Kmerëve të Kuq, që del në gjyq nën akuzat për pjesëmarrje në gjenocidin e kryer në vitet 1970-të. Më shumë se 1,7 milion njerëz, një e katërta e popullatës së Kamboxhias, vdiqën nga urija, sëmundjet, torturat dhe ekzekutimet.