Sulme me raketa në Jordaninë jugore dhe në Izrael, vritet një shofer taksie

  • Zëri Amerikës

Sulme me raketa në Jordaninë jugore dhe në Izrael, vritet një shofer taksie

Qytete turistike në Izrael dhe në Jordaninë jugore u goditën me raketa, duke shkaktuar një të vrarë dhe 4 të plagosur.

Nuk dihet ende se kush hapi zjarr me raketa kundër qytetit port Akaba në Detin e Kuq dhe qytetit izraelit të Eilatit apo se ku e kishin ato origjinën. Burime izraelite të sigurimit thanë se militantë të dyshuar, që kanë lidhje me al-Kaidën në gadishullin e Sinait të Egjiptit, fshiheshin pas këtyre sulmeve, por zyrtarët egjiptianë e mohojnë këtë akuzë.

Të gjitha viktimat ishin në Jordani. Zyrtarët thanë se një prej raketave ra në rrugën përpara hotelit Interkontinental të Aqabas, ku u vra një shofer taksie dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

Këto dy qytete ndodhen vetëm pak kilometra larg njeri tjetrit përgjatë kufirit izraelito-jordanez.

Kjo është hera e dytë këtë vit që kjo zonë vihet në shënjestër. Një raketë goditi qytetin port të Aqabas në muajin prill, por asnjeri nuk u dëmtua nga ai sulm.