Gazetarët pa Kufij kritikon ambasadorin Dell për presion ndaj shtypit

  • Zëri Amerikës

Gazetarët pa Kufij kritikon ambasadorin Dell për presion ndaj shtypit

Një organizatë prestigjioze për lirinë e medias ka kritikuar reagimin e ambasadorit amerikan Kristofer Dell ndaj medias në Kosovë. Organizata Gazetarët Pa Kufi kritikon letrën e hapur të ambasadorit Dell në adresë të grupeve mediatike Koha dhe Ekspres, ku zyrtari amerikan u kërkon “në emër të lexuesve dhe shikuesve që të kërkojnë ndjesë për sjelljen e tyre”.

Ambasadori e dërgoi letrën e hapur pas publikimit nga grupet mediatike të komunikimeve të tij me këshilltarin e zotit Behgjet Pacolli, para votës së tretë dhe të fundit në Parlament që përfundoi me zgjedhjen e zotit Pacolli si president i Kosovës.

Organizata Gazetarët pa Kufi e cilëson si një trysni të paprunueshme ndaj shtypit kosovar këmbënguljen e ambasadorit Dell se publikime të tilla përbëjnë akt kriminal në bazë të nenit 170 të kodit penal, që specifikon se publikimi i mesaxheve apo informatave të marra përmes përgjimit mund të ndëshkohet me 1 vit burgim.

Organizata thekson se media kosovare, që ndeshet aktualisht me presion nga udhëheqësit e vendit, duhet të presë një qëndrim më përkrahës nga një vend si Amerika që përgjithësisht njihet për angazhimin e saj në mbështetje të medias.

Ambasadori, thekson më tej organizata përmes një deklarate për shtyp, nuk mund të pretendojë që media kosovare të ndjekë një tjetër praktikë nga Shtetet e Bashkuara ku metoda të ngjashme për grumbullim faktesh do të trajtoheshin si veprime në interesin publik dhe ku informacioni do të ishte botuar pa ndëshkime apo reagime.