Kosova fillon dialogun për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së

  • Ardita Dunellari

Kosova fillon dialogun për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së

Në Kosovë Komisioni Evropian hapi sot zyrtarisht procesin e liberalizimit të vizave. Fillimi i dialogut u shpall pas një takimi të komisionares për Çështje të Brendshme të Bashkimit Evropian, Cecilia Malmstrom, me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Autoritetet në Kosovë kishin pritur që sot të marrin edhe udhërrëfyesin për këtë proces, por sot u tha se ai ende nuk është hartuar. Komisionarja Malmstrom tha se dita e sotme konfirmon se janë përmbushur kushtet për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave. Por, sipas saj, ky konfirmim paraqet një moment politik.

Mjeti për përmbushjen e këtij qëllimi politik është udhërrëfyesi i cili do të përcaktojë saktësisht se çfarë duhet bërë për sigurinë e kufijve, migrimet, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” tha zonja Malmstrom, sipas së cilës shumë reforma janë bërë, shumë të tjera janë në proces e sipër dhe shumë të tjera duhet të bëhen. Por ajo nuk ishte në gjendje të thotë se kur mund t’u dorëzohet autoriteteve udhërrëfyesi.

Nuk mund të jap një datë të saktë por është qëllimi im që ai të jetë gati gjatë pranverës dhe pastaj do të jetë në duart e shoqërisë dhe qeverisë së Kosovës për të pambushur reformat që kërkojnë shumë punë për të bërë”, tha zonja Malmstrom.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave, është një lajm shumë i mirë që dëshmon se Kosova është në rrugë të mbarë drejt Bashkimit Evropian.

Është një ditë e bekuar për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj. Qeveria e Kosovës e mirëpret fillimin e dialogut të shumëpritur për liberalizimin e vizave. Kjo dëshmon se Kosova është në rrugë të mbarë drejt integrimit të Bashkimit Evropian. Sot fillon një kapitull i ri për Kosovën, kapitull historik, ai i evropianizimit të Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Thaçi tha se të gjithë në Kosovë duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës, duke shmangur çdo veprim që dëmton imazhin e vendit.

Ne do të jemi të përkushtuar plotësisht për zbatimin e të gjitha kritereve, posaçërisht në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, emigrimit ilegal, sigurimin e dokumenteve, lëvizjen e lirë, menaxhimin e kufijve dhe kritereve të tjera të nevojshme dhe të domosdoshme. Po ashtu, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i mirëqenies sociale do të trajtohen si prioritet i lartë. Ne premtojmë se të gjitha kriteret e nevojshme teknike për liberalizimin e vizave, do t’i përmbushim në një afat rekord. Shpresoj se pas përmbushjes së këtyre kritereve, Bashkimi Evropian, do ta respektoj vendimin po aq shpejtë me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Kosova është vendi i fundit në rajonin e Evropës Juglindore që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e saj mund të udhëtojnë vetëm në pak vende pa u detyruar të presin në radhë të gjata para ambasadave të vendeve të Bashkimit Evropian. Kryeministri Thaçi tha sot se Kosovën e lanë të fundit pasojat historike të saj.

As autoritetet vendase e as ato evropiane nuk janë në gjendje të japin ndonjë parashikim se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave Në vendet e rajonit nga fillimi i dialogut e deri në liberalizimin e vizave kanë kaluar periudha kohore prej 18 muajsh e më gjatë. Ndërsa përvojat flasin edhe për bisedime edhe më të gjata. Tash e katër vjet me radhë, Rusia bisedon me autoritetet e Bashkimit Evropian për këtë proces, por ende pa një rezultat.

Autoritetet në Prishtinë shpresojnë në përshpejtimin e procesit, por në Prishtinë vëzhguesit druajnë edhe nga ndikimet politike, meqë pesë nga 27 vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Ky qëndrim ishte ai që e la Kosovën deri tash jashtë këtij procesi por edhe proceseve tjera të përfarimit me Bashkimin Evropian.