Netanjahu: Jam i gatshëm për kompromis historik me fqinjët palestinezë

  • Zëri Amerikës

Udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë thonë se ka ardhur koha për të kapërcyer mospajtimet dhe për të arritur paqen e shumëpritur. Kryenegociatori palestinez Saeb Erakat i tha sot Radios së Ushtrisë Izraelite se është momenti për të ndalur bisedimet dhe për të filluar marrjen e vendimeve. Ndërkaq, po sot, në takimin e përjavshëm të kabinetit, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu shprehu gatishmërinë për një kompromis historik me palestinezët, me kusht që t’i shërbejë sigurisë dhe interesave të tjera kombëtare të Izraelit.

Negociatat e drejtpërdrejta kërkojnë një mendësi të re për të arritur sukses. Me këto fjalë iu drejtua sot kabinetit të tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu:

“Këtë herë, në mënyrë që të arrijmë sukses, duhet të nxjerrim mësim nga përvoja 17 vjeçare nga negociatat e mëparshme. Duhet të tregohemi novatorë në mënyrë që të zgjidhim probleme komplekse. Gjetja e zgjidhjeve praktike kërkon mënyra të reja për probleme të vjetra. Mendoj se është e realizueshme. Jam gati për një kompromis historik me fqinjët tanë, palestinezët, për sa kohë që i shërben interesave kombëtare të Izraelit, mbi të gjitha sigurisë”.

Por analistët thonë se ka një numër sfidash përpara, deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Më kryesorja do të haset më 26 shtator kur i skadon afati moratoriumit për ndërtime të reja në vendbanimet hebraike. Kryeministri Netanjahu, koalicioni i të cilit mbizotërohet nga parti pro-vendbanimeve, nuk duket i prirur për të zgjatur moratoriumin. Ministri izraelit i financave Yuval Steinitz shprehet se afati i moratoriumit është jashtë negociatave:

“Dialogu është shumë i rëndësishëm për të dyja palët, por kjo s’ka të bëjë fare me vendimin e njëanshëm që morëm ne për ngrirjen e ndërtimeve të reja deri në fund të shtatorit. Vendimet e njëanshme nuk negociohen”.

Presidenti palestinez Mahmud Abaz ka thënë se nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë negociatat nëse rifillojnë ndërtimet.

Ndërkohë incidentet e dhunshme në rajon vazhdojnë. Ushtria izraelite goditi mbrëmë 3 tunele në Rafah të Rripit të Gazës duke plagosur të paktën 3 vetë. Dy persona të tjerë figurojnë të humbur. Izraeli thotë se goditja u ndërmor në përgjigje të një sulmi me raketë të ndërmarrë po dje në Izraelin jugor nga ekstremistë palestinezë. Ditët e fundit është vërejtur një shtim i incidenteve të dhunshme, paralelisht me fillimin e negociatave të paqes mes dy palëve, me ndërmjetësimin e Uashingtonit.

Probleme të tilla i kanë bërë Shtetet e Bashkuara të shprehen të rezervuara në parashikimet për rezultatet. Në komentet e tij në fillim të bisedimeve, Presidenti Obama foli për optimizëm të kujdesshëm, siç u shpreh ai, lidhur me objektivat e pritshme nga këto bisedime.