Presidenti Obama i ofron mbështetjen amerikane Ugandës

  • Dan Robinson

Presidenti Obama i ofron mbështetjen amerikane Ugandës

Presidenti amerikan Barak Obama i tha dje presidentit ugandas Yoweri Museveni se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë çfarëdo ndihme që kërkon qeveria e tij gjatë hetimeve për dy sulmet e djeshme me bombë, të cilat lanë të vrarë 74 veta. Korrespodenti i Zërit të Amerikës Dan Robinson njofton nga Shtëpia e Bardhë.

Zotimi i presidentit u bë i ditur në një bisedë telefonike me udhëheqësin e Ugandës pas sulmeve në Kampala, ku u vranë dhjetëra njerëz. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs njofton:

“Presidenti i telefonoi në mëngjes presidentit Museveni dhe i shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për humbjen e jetëve dhe u tregua i gatshëm të ofronte çfarëdo mbështetje ose ndihme që kërkon qeveria e Ugandës. Udhëheqësit ripohuan përkushtimin e përbashkët për të bashkëpunuar në luftën kundër organizatave terroriste që kërcënojnë civilët e pafajshëm në mbarë botën”.

Zoti Gibs tha se ndihma amerikane deri tani ka të bëjë me pjesëmarrjen e Zyrës Federale të Hetimeve (FBI).

Një zëdhënës i grupit të armatosur somalez “al-Shabab”, i cili ka lidhje me al-Kaidën, thotë se grupi i tij është përgjegjës për sulmet, të cilat ndodhën ndërsa tifozët e futbollit po ndiqnin transmetimin e finales së Botërorit. Zyrtari i al-Shababit tha se sulmet u kryen në hakmarrje ndaj Ugandës për pjesëmarrjen e saj në operacionet paqeruajtëse të Bashkimit Afrikan në Somali.

Lidhur me këtë deklaratë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs tha se al-Shabab kishte kërcënuar popullin dhe qeverinë e Ugandës në të kaluarën për shkak të rolit paqeruajtës të Ugandës. Duke shtuar se nuk është ende e qartë se kush është përgjegjës për shpërthimet, zoti Gibs tha se sulmet dërgojnë një mesazh të qartë:

“Ata duan të shkatërrojnë dhe të vrasin njerëzit e pafajshëm, pikërisht kur kontinenti afrikan, pikërisht kur Afrika e Jugut i tregoi botës se çfarë është në gjendje të ndërtojë. Këto veprime dëshmojnë për motivet e tyre keqdashëse që historia do t’i gjykojë si elementë që duan të shkatërrojnë dhe vrasin, në vend që të ndërtojnë”.

Ndër të vrarët ishte edhe një punonjës amerikan i një organizate humanitare, i cili ndodhej në njërin nga lokalet, një restorant etiopian në Kampala. Presidenti Museveni dhe qeveria e tij kanë marrë mesazhe mbështetjeje nga shumë udhëheqës botërorë, menjëherë pas sulmeve. Uganda ka rreth katërmijë trupa që po shërbejnë në kuadër të forcës paqeruajtëse të Bashkimit Afrikan në Somali.