Zyrtarët francezë thonë se të paktën 100 banorë romë do të dëbohen sot për në Rumani dhe Bullgari, ndërsa kritikat po shtohen ndaj vendimit të Presidentit Nikola Sarkozi për dëbimin e emigrantëve.
Dje rreth 60 romë u dëbuan nga Franca për në Rumani. Autoritetet franceze thonë se deri në fund të muajit do të dëbohen rreth 700 romë. Të rriturve që largohen vetë u jepen 385 dollarë, ndërsa çdo të mituri 130, për të mbuluar shpenzimet e rivendosjes në një vend tjetër. Presidenti Sarkozi e ka cilësuar dëbimin e romëve si një masë për të luftuar kriminalitetin.
Por kritikët, përfshirë udhëheqës të opozitës, e akuzojnë zotin Sarkozi, se po shfrytëzon ksenofobinë për të shmangur vëmendjen e publikut nga disa skandale të rënda të zyrtarëve qeveritarë. Të tjerë i kanë krahasuar dëbimet me qëndrimin e nazistëve ndaj hebrenjve të Francës në Luftën e Dytë Botërore.
Vitin e kaluar rreth 10 mijë romë u larguan nga Franca për t’u riatdhesuar në vendin e tyre. Por shumica e të dëbuarve u kthyen në Francë si qytetarë evropianë, të lirë për të udhëtuar brenda vendeve të BE-së.