OSBE, thirrje Ukrainës për masa të ngutshme në mbrojtje të lirisë së medias

  • Zëri Amerikës

OSBE, thirrje Ukrainës për masa të ngutshme në mbrojtje të lirisë së medias

Organizata më e madhe për siguri në Evropë po i bën trysni udhëheqjes politike të Ukrainës që të ndërrmarë “hapa të ngutshëm” për të ruajtur liritë e medias dhe për të mos lejuar shkeljen e tyre nën presidencën e Viktor Janukoviçit.

Dunja Mijatoviç, shefe për lirinë e medias e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, foli në Kiev pas takimeve me ministrin e jashtëm Kostiantin Hrishçenko dhe zyrtarë të tjerë.

Ajo tha se rasti i zhdukjes së redaktorit Vasil Klimentiev dhe shpeshtimi i sulmeve fizike ndaj gazetarëve po shkaktojnë shqetësime për median dhe bëri thirrje për “veprime konkrete” që të ndalohen zhvillimet negative.

Zonja Mijatoviç ishte në Ukrainë me ftesën e zotit Janukoviç. Ajo tha se mirëpriste sinqeritetin e autoriteteve ukrainase, por i bëri thirrje qeverisë që të përmbahej nga “përpjekjet për të ndikuar mbi median ose për ta censuruar atë”.