Ekonomia amerikane regjistron shtim të vendeve të punës në korrik

  • Zëri Amerikës

Ekonomia amerikane regjistron shtim të vendeve të punës në korrik

Një raport i ri nga një firmë private arrin në përfundimin se ekonomia amerikane vazhdon të krijojë vende pune në muajin korrik. Shërbimi ADP i punëdhënësve, firmë ku kalojnë miliona çeqe pagesash, tha sot se muajin e kaluar kompanitë private shtuan 42 mijë vende pune.

Korriku është muaji i gjashtë me rradhë që firma ADP njofton për shtimin e vendeve të punës në sektorin privat, megjithatë kjo firmë tha se ky shtim vendesh pune ka qënë i vogël, ndërkohë që tregu i vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë delikat.

Disa ekonomistë e konsiderojnë raportin mujor të firmës ADP si një tregues paraprak i raportit mujor të departamentit amerikan të punës për papunësisë, që do të njoftohet të premten.

Shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara për muajin qershor ishte 9.5 për qind.

Një raport tjetër, po sot, i kompanisë së punësimit, Challenger, Gray, and Christmas arriti në përfundimin se numri i vendeve të punës në plan për t’u shkurtuar u ngrit për të tretin muaj me rradhë, duke u ngritur 6 për qind nga qershori në korrik.