Presidenti rus Dmitri Medvedev do të zhvillojë një takim me disa nga emrat më të mëdhenj të industrisë së teknologjisë së lartë, në ditën e parë të plotë të tij në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Medvedev arriti mbrëmë në shtetin perendimor të Kalifornisë për një vizitë tre ditore që synon të forcojë marrëdhëniet bilaterale përmes shtimit të bashkëpunimit tregëtar.
Vizita e presidentit rus përfshin një turne në Luginën Silicon të Kalifornisë, baza e shumë kompanive teknologjike. Ai pritet të takohet me krerët e kompanive Apple, Cisco Systems, Google dhe Twiter. Ai do të flasë sot edhe në Universitetin e Stanfordit.
Presidenti rus ka reklamuar përdorimin e teknologjisë së stilit amerikan dhe risitë për të ndihmuar në modernizimin e ekonomisë ruse.
Nesër, zoti Medvedev do të zhvillojë bisedime në Uashington me presidentin Barak Obama.
Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit do të eksplorojnë mënyra për të rritur bashkëpunimin përmes tregëtisë, investimeve dhe risive.