Zyrtarët amerikanë thonë se ratifikimi i marrëveshjes për kontrollin e armëve me Rusinë është në krye të axhendës së Presidentit Obama dhe se ai do ta ritheksojë këtë angazhim në takimin me udhëheqësin e Kremlinit Dmitri Medvedev.
Dy presidentët do të takohen nesër në Yakohama të Japonisë, ku ndodhen për Forumin Ekonomik të Azi-Paqësorit.
Këshilltari i Presidentit Obama për Sigurinë Kombëtare Tom Donilon e diskutoi çështjen e kontrollit të armëve para bisedimeve të dy udhëheqësve nesër. Këshilltari Donilon nuk bëri komente lidhur me njoftimet e medias se administrata Obama do të përpiqet të sigurojë mbështetjen e Kongresit për traktatin duke shtuar fondet për objektet bërthamore.
E përditshmja Washington Post citon burime në Kongres, sipas të cilave zyrtarë të administratës janë përpjekur të sigurojnë mbështetjen e disa republikanëve skeptikë me premtimin për 4 miliardë shtesë në objektet e prodhimit të armëve bërthamore.
Presidenti Obama dhe Dmitri Medvedev nënshkruan Traktatin e ri për Mospërhapjen e Armëve Strategjike në prill, por dokumenti nuk është miratuar ende nga parlamentet e dy vendeve.