Parlamenti evropian miraton heqjen e vizave për Shqipërinë

  • Armand Mero

Parlamenti evropian miraton heqjen e vizave për Shqipërinë

Parlamenti Europian votoi sot në shumicë dërrmuese në favor të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë që duan të udhëtojnë në zonën Schengen. Vendimi i Parlamentit Europian u prit me entuziasëm në Tiranë, ku autoritetet më të larta shtetërore dhe politike e cilësuan si një vendim historik.

Me 538 vota pro dhe vetëm 47 kundër dhe 41 abstenime procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë mori mbështetjen e parlamentit europian. Gjithshka ka zgjatur shumë shkurt. Një ndërhyrje e raporteres për ҫështjen e vizave Tanja Fajon sipas së cilës të dy vendet meritonin heqjen e vizave dhe më pas hedhja në votë.

Raporterja Fajon pak më vonë doli në një konferencë shtypi ku deklaroi se të dy vendet janë teknikisht gati dhe se nuk ka ndonjë arsye që ndonjë prej vendeve anëtare të bllokonte procesin.

Në Shqipëri votimi i parlamentit europian u ndoq direkt nga deputetët shqiptarë. Pak minuta më vonë presidenti Bamir Topi do të ishte i pari që do të jepte vlerësimin e tij: “Më lejoni të shpreh gëzimin tim të madh, të vlerësoj dhe të falënderoj Parlamentin Evropian për vendimin historik, i cili i hap rrugë lëvizjes së lirë të shqiptarëve, kësaj aspirate të thellë e të gjerë të popullit shqiptar dhe të institucioneve të tij pëfaqësuese”.

Po ashtu edhe kryeministri Sali Berisha me tone entuziaste tha se sot të gjithë shqiptarët duhet të ndjehen krenarë: “Data 7 tetor e vitit 2010, dita, në të cilën Parlamenti Europian votoi për heqjen e vizave për shqiptarët, do të shkruhet me germa të arta në memorien e kombit tone, si ngjarja më madhore në udhën e tij të mundimshme shekullore drejt Europës”

Për kryeministrin vendimi i sotëm ishte një votbesim për reformat e ndërmmara nga qeveria tha ai, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për realizimin e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit dhe instalimin e pajisjeve më moderene për kontrollin e kufijve. Mëdyshjet e shfaqura nga ndonjë vend anëtar, vecanërisht Franca, kanë bërë që kryeministri edhe një herë sot të deklarojë se Shqipëria është e gatshme të ofrojë të gjithë garancitë: “Qeveria shqiptare është e gatshme të përmbushë çdo detyrim që rrjedh nga ky proces dhe të vendosë të gjitha format më të përshtatshme të bashkëpunimit me secilin vend anëtar, në mënyrë që procesi i heqjes së përkohshme të vizave për shqiptarët të mos krijojë as edhe shqetësimin më të vogël për vendet anëtare të BE-së”.

Vendimi i parlamentit europian u përshëndet sot edhe nga kryetari i opozitës Edi Rama i cili e cilësoi si një ditë të bukur për Shqipërinë dhe shqiptarët është një ditë e shumë pritur prej tyre dh jo dita e politikës e cila e vonoi kaq shumë atë tha zoti Rama: “Lëvizja e tyre e lirë është një projekt europian dhe një vullnet europian dhe se çdo rrahje gjoksi para ekraneve këtu në Tiranë për përfshirjen e Shqipërisë në hartën e Europës pa viza është thjesht qesharake. Sidomos pas kaq shumë vitesh vonesë e mbetjesh vjeshtë pas vjeshte në klasë jo për faj të Europës, e as me pak të popullit shqiptar”.

Tani Shqipëria dhe Bosnja mbeten në pritje vetëm të vendimit të ministrave të brendshëm të vendeve anëtare, të cilët pritet ta shqyrtojnë këtë ҫështje në mbledhjen e tyre të 8-9 nëntorit.