Policia italiane sekuestron 1 ton marijuanë nga Shqipëria

Policia italiane njoftoi operacione të reja ndaj trafikantëve të marijuanës nga Shqipëria.

Sipas burimeve zyrtare policore nga Leçe, zonës kufitare detare me Shqipërinë, forcat e antidrogës kanë bllokuar rreth një tonë marijuanë duke arrestuar edhe katër shtetas shqiptarë.

Sasitë e narkotikëve dyshohet se mbërritën nga Shqipëria në Itali përmes hapësirës detare ndërkohë që rrjetit të trafikantëve i janë bllokuar edhe armë. Operacione ndaj narkotikëve janë kryer edhe në territorin shqiptar.

Dy ditët e fundit policia shqiptare ka bllokuar në operacione kontrolli rreth 300 kilogramë marijuanë në Portin e Durrësit, Pikën Kufitare të Kakavijës dhe Fier.

Rastet e shtuara të trafikut të marijuanës kanë nxitur Prokurorin e Antimafias së Leçes Kataldo Motta të takohet në Tiranë me autoritete prokurorisë shqiptare dhe Policisë për të bashkërenduar hetimet ndaj trafikut në hapësirën detare mes të dy vendeve. Autoritetet shqiptare po përballen me raste të shtuara të trafikut pas përmasave të kultivimit të narkotikëve në shumë zona të Shqipërisë.