Zyrtarët në Afganistan thanë se tetë roje të sigurisë u vranë kur kryengritësit talebanë sulmuan një postbllok në porvincën jugore të Helmandit.
Autoritetet thanë se dy persona u plagosën sot në shkëmbimet e zjarrit para agimit në distriktin Gereshk. Zyrtarët njoftojnë se një luftëtar taleban u vra në betejë.
Në zhvillime të tjera, zyrtarë afganë thanë se tre persona u vranë në një shpërthim me bombë në qytetin e Heratit. Pati gjithashtu një numër të plagosurish, përfshirë një polic.
Ndërkohë zyrtarët afganë thanë se 20 punonjës të një kompanie ndërtimi u rrëmbyen të shtunën pas një sulmi në provincën Farah. Zyrtarët thanë se dy kryengritës u vranë por nuk dhanë hollësi të tjera.
Po në Afganistan, Aleanca e Natos tha se forcat e koalicionit vranë të paktën 10 kryengritës gjatë sulmeve ajrore në provincën Baglan dje. Nato tha se objektivi i sulmit ishte një udhëheqës i lartë taleban i akuzuar për financimin e grupit dhe furnizimin me armë dhe municione të operativëve talebanë në zonë.