Presidenti Obama nderon arritjet shkencore të studentëve në mbarë vendin

  • Zëri Amerikës

Presidenti Obama nderon arritjet shkencore të studentëve në mbarë vendin

Presidenti amerikan Barak Obama nderoi arritjet shkencore të studentëve në mbarë vendin, në kuadrin e fushatës së tij për përmirësimin e rezultateve në lëndët shkencore në shkollat amerikane.

Në komentet që bëri sot në një panair për shkencën në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se përpjekja për rritjen e cilësisë së programeve të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në Shtetet e Bashkuara po financohet nga partneriteti mes sektorit publik dhe atij privat.

Projektet e paraqitura në panair janë novacionet më të zgjedhura nga një numër konkursesh të studentëve, mes tyre modeli i një makine me energji diellore, një filtrues uji për komunitetet rurale dhe një WC e projektuar për të përdorur sa më pak ujë.

Presidenti tha se studentët duhet të vlerësohen për arritjet në shkencë në të njëjtën mënyrë, sikurse Shtëpia e Bardhë ka nderuar historikisht ekipet amerikane të sportit.

Ai tha po ashtu se synon përmirësimin e arritjeve të studentëve amerikanë në fushat e matematikës dhe shkencës në mënyrë që ata të renditen mes më të mirëve në botë.