Një milion shtetas shqiptarë të pajisur me pasaporta biometrike

Një milion shtetas shqiptarë të pajisur me pasaporta biometrike

Policia shqiptare bëri sot të ditur se 2 milion 360 mijë shtetas kanë marrë karta identiteti elektronike dhe mbi 1 milion qytetarë kanë marrë pasaporta biometrike, ndërsa procesi i pajisjes së qytetarëve me dokumenta identifikimi vazhdon me ritme të larta.

Ministri i brendshëm, Lulzim Basha, tha se në këtë mënyrë vetë qytetarët shqiptarë u bënë pjesëmarrës në përmbushjen e një kriteri të Bashkimit Europian për heqjen e vizave 90 ditore, i cili ka të bëjë me pajisjen e sa më shumë qytetarëve me dokumenta moderne identifikimi. "Këto dokumente identifikimi janë të standartit më të lartë bashkëkohor, janë shtylla e identifikimit të shtetasve shqiptarë, sipas një teknologjie të fjalës së fundit, janë një nga katër shtyllat më të rëndësishme të vendimit të Komisionit Europian për të propozuar heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë" - tha ai.

Zoti Basha i bëri këto komente në një mbledhje të komisionit parlamentar të ligjeve, ndërkohë që komisionet respektive të Bashkimit Europian diskutonin për lehtësimin e regjimit të vizave më Shqipërinë dhe Bosnjen. "Ky ritëm pune do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si do të vazhdojë edhe në fusha të tjera të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Gadishmëria, përkushtimi dhe profesionalizmi që kanë karakterizuar këtë proces, do të vazhdojnë edhe më tej" - tha ai.

Ministri i brendshëm Basha hodhi poshtë si të pavërteta akuzat nga politikanë të ndryshëm ndaj drejtuesve të policisë shqiptare.

Ai tha se policia e shtetit dhe prokuroria kanë hetuar të gjitha rastet e kontrabandës, dhe janë depozituara pranë prokurorive të ndryshme, duke theksuar se akuzat ndaj oficerëve të policisë së shtetit trajtohen nga kontrolli i brendshëm i policisë.

Duke iu referuar komenteve politike e mediatike për zv. drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, Agron Kuliçaj, ministri Basha u bëri thirrje kujtdo që ka fakte kompromentuese ndaj policisë së shtetit t'i dërgojë në prokurori, ndërsa i quajti të papranueshme presionet politike ndaj forcave të rendit, që godasin krimin e organizuar dhe korrupsionin.