Bota reagon ndaj ngjarjeve në Egjipt pas dorëheqjes së zotit Mubarak

Bota reagon ndaj ngjarjeve në Egjipt pas dorëheqjes së zotit Mubarak

Edhe udhëheqësit botërorë bënë reagimet e tyre ndaj dorëheqjes së presidentit egjiptian Mubarak dhe kalimit të pushtetit në duart e ushtrisë. Ata kanë bërë thirrje për një kalim të shpejtë të pushtetit në duart e një qeverie demokratike. Ndërkohë, në qytetet në mbarë Lindjen e Mesme kanë patur festime në mbështetje të protestave anti qeveritare në Egjipt që detyruan largimin nga pushteti të personit që e sundoi vendin për tri dekada. Por fillimisht ju njohim me një reagim brenda vendit, atë të grupit Vëllazëria Myslimane, grupimi më i madh opozitar, njëkohësisht një parti islamike.

Grupi Vëllazëria Myslimane sot tha se nuk do të paraqesin kandidat për president të Egjiptit, dhe nuk do të kërkojë pjesëmarrje në qeverinë e tranzicionit, pas dorëheqjes së Hosni Mubarakut dhe kalimit të pushtetit në duart e ushtrisë.

“Ne jemi në shërbim të popullit, por nuk kemi aspirata për të marrë pushtetin. Nuk do të ofrojmë kadidatë për president dhe nuk do të kërkojmë pjesëmarrje në qeverinë e tranzicionit.”

Ndërkohë, bota ka reaguar pas vendimit të presidentit të Egjiptit Mubarak për të dhënë dorëheqjen. Kina ka reaguar me kujdes ndaj këtij lajmi, duke bërë thirrje për stabilitet. Partia komuniste e Kinës lëshoi një deklaratë sot ku thuhet se fuqitë e huaja nuk duhet të përzihen në politikën e Egjiptit. Ekspertët thonë se Pekini druhet se ngjarjet në Egjipt mund të nxisin protesta të njejta kundër qeverisë kineze. Faqet elektronike kineze kanë kufizuar publikimin e komenteve ndaj ngjarjeve në Egjipt.

Ndërsa kryeministrja e Australisë Julia Gillard sot i bëri thirrje Egjiptit që të vendosë një afat qartë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Kryeministri japonez Naoto Kan tha se Japonia shpreson që Egjipti do të luajë një rol më konstruktiv se më parë në rajonin e Lindjes së Mesme. Në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun vlerësoi durimin e protestuesve. “Zëri i popullit egjiptian, veçanërisht i rinisë, u dëgjua dhe u përket atyre të përcaktojnë të ardhmen e vendit të tyre,” tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Ashton, tha se Evropa qëndron përkrah popullit egjiptian. Ajo gjithashtu bëri thirrje për shpejtimin e dialogut për krijimin e një qeverie që do të përmbushte aspiratat e popullit. Kryeministri britanik Dejvid Kameron i bëri thirrje Egjiptit të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një qeverie demokratike, ndërkohë që kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti ndryshim historik dorëheqjen e zotit Mubarak. Edhe presidenti francez Nikolas Sarkozi bëri thirrje për zgjedhje të lira. Në Lindjen e Mesme njerëzit e pritën me gëzim dorëheqjen e presidentit egjiptian dhe e uruan popullin e Egjiptit. Në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, banortë shprehën gëzim që zoti Mubarak u largua nga pushteti.

“Uroj popullin e Egjiptit për përmbysjen e tiranisë. Kjo është fitorja më e madhe për popullin arab,” tha banroi i Bejrutit Mahmud Kemal.

Edhe irakianët në rrugët e Bagdadit ishin të gëzuar nga lajmi për rrëzimin e pushtetit të zotit Mubarak.

“Ne, irakianët, jemi të gëzuar për popullin egjiptian dhe përpjekjet e revolucionit të bardhë,” tha durgam Al Zaidim nga Bagdati.

“Mendoj se dorëheqja ishte e vonuar, zoti Mubarak duhet të kishte dhënë dorëheqjen më herët, sepse këtë kërkonte populli. Për Izraelin kjo ndoshta do të jetë e rrezikshme derisa të vendoset se kush do të vij në pushtet. Shpresoj të fitojë pala demokrate dhe jo Vëllazëria Myslimane.”- tha ky banor i Jeruzalemit.