Ambasadori Lu: Fondet për qytetarët

Kryediplomati amerikan bëri thirrje që paratë e pushtetit vendor të mos shpenzohen për zyra e makina luksoze. “Qeveria të dëshmojë se reforma territoriale nuk u bë për të fituar zgjedhjet”

Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu i bëri thirrje sot kryebashkiakëve të rinj gjatë një konference në Tiranë që fondet e tyre t’i përdorin në shërbim të komunitetit dhe jo për zyra apo makina personale: “Nëse keni ardhur këtu me Mercedes, BMW apo Audi të zi, duhet të mendoni nëse kjo është mënyra që votuesit tuaj duan që ju t’i përdorni paratë e tyre. Nëse zyra juaj është më e këndshme se dyqani i bukës apo zyra e Postës në zonën tuaj, sërish shpresoj që do të mendoni a do të shpenzoheshin me mirë këto para për mbledhjen e plehrave, përmirësimin e shkollave apo ndërtimin e parqeve”.

Ambasadori amerikan tha se ka nxitur qeverinë që t’u japë administratave vendore fondet dhe pushtetin që u nevojiten dhe të vërtetojë kështu se “reforma territoriale u realizua për përmirësimin e shërbimeve dhe jo për të fituar zgjedhjet”.

Sipas ambasadorit amerikan edhe shpërndarja e financimeve përmes Fondit të Zhvillimit Rural “ndeshet me rrezikun e përdorimit të tij për financimin e kryetarëve të bashkive të PS-së dhe LSI-së dhe mohimin e fondeve për bashkitë e opozitës”.

Shtetet e Bashkuara kanë caktuar një fond prej 12.8 milion dollarësh për të ndihmuar Bashkitë që të ndërmarrin plane të efektshme të zhvillimit urban dhe të bëjnë qeverisjen vendore më transparente.