Amnesty: Dhuna në familje dhe trafikimi ende problem në Shqipëri

  • Zëri Amerikës

Amnesty: Dhuna në familje dhe trafikimi ende problem në Shqipëri

Një raport i ri i organizatës Amnesty International kritikon Evropën për dështimin e saj në mbrojtje të refugjatëve dhe azil-kërkuesve në territorin e saj.

Në kapitullin për Shqipërinë Amnesty International thotë se në këtë vend dhuna në familje si dhe trafikimi i vajzave për prostitucion të detyruar vazhdojnë të jenë fenomene të përhapura. Sipas raportit, për vitin 2010, rastet e deklaruara të dhunës familjare shënuan një rritje krahasuar me një vit më parë. Megjithatë thotë raporti, është vënë re përparim në luftën kundër këtij fenomeni, si përsa i përket kuadrit ligjor, ashtu edhe në praktikë.

Në raport po ashtu theksohet se ngërçi politik që pasoi zgjedhjet e 2009, vazhdoi. Ndonëse Partia Socialiste i dha fund bojkotit të parlamentit, ajo shpesh bojkotoi senacat parlamentare në shenjë proteste. Puna legjislative dhe reforma elektorale u vonuan. Politikanët, thuhet në raport, akuzuan njeri tjetrin për korrupsion dhe hetimet janë hapur për disa prej akuzave. Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë, thotë Amnesty International, vazhdon të mbetet i ulët. Kushtet në qendrat e paraburgimit në rajonet e policisë vazhdojnë të jenë tepër të dobëta, ndërsa kushtet dhe trajtimi i të dënuarve me heqje lirie ka shënuar përmirësim.

Organizata me seli në Londër thotë se gjatë vitit 2010 shumë qeveri evropiane nuk kishin mbrojtur sa duhet shtetasit e huaj nga kërcënimet dhe dhuna me motive racore. Në raport thuhet se disa politikanë kishin kontribuuar në krijimin e një klime ku mungon toleranca, duke bërë aludime për lidhje mes krimit dhe imigracionit.

Në komentet pozitive, raporti përmend vende si Shqipëria, Bullgaria, Gjermania, Sllovakia dhe Spanja që ranë dakord të pranojnë ish-të ndaluar të bazës Guantanamo, të cilët nuk mund të ktheheshin në atdheun e tyre pasi u kanosej kërcënimi i torturave dhe rreziqe të tjera.