Trump gazetarët duhet të punojnë të lirë prej frikës se mund të sulmohen

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë "të lirë prej frikës" se mund të sulmohen. Komentet zoti Trump i bëri gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pasi një person i armatosur vrau pesë vetë në një gazetë në Merilend të SHBA-së.

"Ky sulm tronditi ndërgjegjen e kombit tonë dhe i mbushi zemrat tona me pikëllim. Gazetarët, si të gjithë amerikanët, duhet të jenë të lirë nga frika se po sulmohen dhunshëm gjatë punës së tyre", tha zoti Trump.

Dyshohet se sulmi në redaksinë e gazetës lokale në kryeqytetin e Merilandit, Anapolis ishte hakmarrje ndaj personelit të gazetës dhe se autori u nis me synimin për të vrarë persona të caktuar në ekipin redaksional. Pesë vetë humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën gjatë sulmit.

Policia thotë se sulmi u krye nga 38-vjeçari Jarrod Ramos, i cili vuri në shenjestër redaksinë e së përditshmes Capital Gazette dje pasdite. Sipas rrëfimit të dëshmitarëve, i dyshuari qëlloi derën prej xhami dhe u fut në redaksinë e gazetës, duke vrarë dy gazetarë, dy redaktorë dhe një ndihmëse të marketingut.

Autoritetet thonë se incidenti ishte një “atentat” dhe se autori po kërkonte në redaksi persona të caktuar që kishte në plan t’i vriste. Në vitin 2015, Jarrod Ramos humbi padinë gjyqësore për shpifje ndaj gazetës.

“Ai ka bërë kërcënime me media sociale. Po përpiqemi të konfirmojmë llogaritë në median sociale dhe personin që i krijoi,” tha një përfaqësues i forcave të rendit për komunën Anne Arundel.

Policia mbërriti në skenën e ngjarjes pak minuta pasi filluan të shtënat dhe e arrestoi Jarrod Ramosin, i cili ishte fshehur nën një tavolinë pune.

Autoritetet e morën në pyetje të dyshuarin për të zbuluar motivin e sulmit. Ata gjithashtu kanë kontrolluar banesën e tij në qytetin Lorel të Merilandit për të mbledhur të dhëna të tjera për aktin që ka tronditur këtë komunitet të qetë.

“Nuk të shkon mendja që mund të ndodhë në qytetin tënd. Isha ndoshta 500 metra larg. Kur e kupton që ndodhi kaq pranë, tronditesh,” thotë një banor.

Incidenti në redaksinë e gazetës Capital Gazette besohet se është një ndër sulmet më të përgjakshme të kohëve të fundit ndaj medias në Amerikë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders postoi në Twitter komentin “Një sulm i dhunshëm ndaj gazetarëve të pafajshëm që po bënin detyrën është një sulm ndaj çdo amerikani”.