Asad thotë se do të zhdukë armët kimike

Presidenti sirian i kërkon Amerikës që të marrë përsipër shpenzimet

Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad thotë se është tërësisht i vendosur për asgjesimin e arsenalit të armëve kimike të vendit të tij por nuk pranon që forcat e tij përdorën gazin helmues muajin e kaluar që la qindra të vdekur pranë Damaskut. Në një intervistë me kanalin televiziv Fox News, zoti Assad premtoi të zbatojë marrëveshjen Ruso-Amerikane që synon shkatërrimin e armëve kimike. Ai sugjeroi se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin përsipër shpenzimet për shkatërrimin e armëve.


“Duhen shumë para, rreth 1 miliard dollarë. Janë të dëmshme për mjedisin. Nëse administrata amerikane është e gatëshme të paguajë këto shuma dhe t’i marrë këto materiale toksike në Shtetet e Bashkuara, përse nuk e bën atëhere ?”

Plani për çarmatimin, i cili ende po debatohet nga të dërguarit e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kërkon që Siria të japë detajet e këtyre armëve deri të shtunën.

Udhëheqësi sirian po ashtu hodhi poshtë një raport të OKB të publikuar këtë javë që konfirmon përdorimin e gazit nervor sarin kundër civilëve në lagjen Ghouta të kontrolluar nga rebelët me 21 gusht. Pavarësisht se raporti nuk fajëson asnjërën palë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore thonë se raporti jepte prova të forta se forcat qeveritare dhe jo rebelët ishin përgjegjës për sulmin që la të vrarë 1400 njerëz.