Nën presidenti amerikan Xho Bajden tha se dorëheqja e presidentit egjiptian Hosni Mubarak është një moment i rëndësisë së veçantë në histori.
Ai i bëri komentet në Kentaki, para fjalimit të pritshëm të presidentit Obama në Uashington.
Zoti Bajden tha se Shtetet e Bashkuara kanë thënë që nga fillimi i trazirave politike se e ardhmja e Egjiptit do të vendoset nga populli egjiptian.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara u kanë qëndruar parimeve bazë gjatë kryengritjes, duke përfshirë mospranimin e dhunës nga demonstruesit dhe thirrjet për respektimin e të drejtave të egjiptianëve. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje gjithashtu që tranzicioni politik në Egjipt të jetë një ndryshim i pakthyeshëm dhe një rrugë e negociuar drejt demokracisë.
Zoti Bajden shtoi se demokratët dhe republikanët kanë folur njëzëri për këtë çështje, dhe tha se bashkimi do të jetë edhe më i rëndësishëm në ditët që do të vijnë.