Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e pezullimit të vizave për zyrtarët bjellorusë, përfshirë presidentin Aleksandër Lukashenko, për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave pas zgjedhjeve presidenciale muajin e kaluar.
Gazeta gjermane Zyddojçe Caitung citoi sot burimet qeveritare të kenë thënë se Angela Merkel është mes krerëve evropianë që kërkojnë të mos lejojnë zyrtarët e lartë bjellorusë të hyjnë në bllokun 27 vendesh.
Edhe Ministri i Jashtëm suedez ka kërkuan vënien e kufizimeve.
BE-ja e hoqi ndalimin e vizave për zyrtarët bjellorusë para dy vjetësh. Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë sanksionet e reja të mundshme kundër Bjellorusisë gjatë një takimi në fund të këtij muaji.
Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe krerët perëndimorë e kanë kritikuar qeverinë bjelloruse se ka shtypur me dhunë protestat pas-zgjedhore. Mijëra njerëz protestuan kundër rezultateve për të cilat ata këmbëngulin se ishin të manipuluara për të favorizuar presidentin Lukashenko, i cili fitoi mandatin e katërt.
Që nga fitorja e tij e debatueshme, qeveria e zotit Lukashenko ka ndaluar qindra njerëz, përfshirë kandidatë të opozitës dhe gazetarë.