Biznesi i vogël në SHBA

Nëse një biznes ka më pak se 500 të punësuar, Administrata e Shteteve të Bashkuara për Bizneset e Vogla e klasifikon atë si biznes të vogël. Sot për sot, në SHBA ka 23 milionë biznese të vogla, të cilët së bashku përfaqësojnë 54% të shitjeve. Korrespondenti Bernard Shusman në Nju Jork njofton se si tre biznese të vogla po përballojnë klimën e tanishme ekonomike.

Mark Zwerdling krijoi shtatë vjet më parë “Generation Z”, një kompani marketingu për sportet e të rinjve. Ai ka vetëm tre të punësuar, dhe si çelës të suksesit të tij konsideron përgjegjshmërinë ndaj punonjësve dhe zhdërvjelltësinë.

“Mendoj se njerëzit i rikthehen dëshirës për të bërë biznes me kompani të vogla, dhe mendoj se shumica tani kërkojnë zhdërvjelltësi nga firmat me të cilat punojnë. Kështu që, mendoj se njerëzit janë të kënaqur me drejtimin që ka marrë ekonomia dhe mundësitë që ofron.”

Në restorantin “Snowdonia” në Queens të Nju Jorkut, pronarja Carrie Spiller thotë se mezi del me fitim pas gati 2 vitesh punë. Përveç kostos së lartë të elektricitetit, zonja Spiller është gjithashtu e befasuar nga përmasa e pëfshirjes së qeverisë në biznesin e saj.

“Mendoj se mësimin më të mirë e mora prej taksave. Taksa për punonjësit, pagesa papunësie, dhe sigurisht taksa për shitjet. Janë gjithë këto elementë që bëhen e pjesë e detyrimeve mujore, dhe kur je në fillimet e biznesit, këto janë dërrmuese.”

Pronarët e bizneseve të vogla me të cilët kontaktoi Zëri i Amerikës, përmendin kostot e kujdesit shëndetësor si një ndër shpenzimet kryesore. Bizneset e vogla me më pak se 50 punonjës nuk janë të detyruara të ofrojnë sigurim shëndetësor, por në realitet është e domosdoshme për të tërhequr dhe ruajtur punonjësit.

David Rosini, pronar i një kompanie inxhinierike, thotë se ofrimi i sigurimit shëndetësor është çështja më e vështirë me të cilën përballet.

“Mbulojmë shumicën e shpenzimeve shëndetësore të punonjësve, dhe duke qenë se e kam bërë këtë proçes për rreth 10 vite, mund të them se çdo vit është rritur me 20-25% pagesa për siguracionin shëndetësor. Çdo vit na duhet të kërkojmë sërish në treg për të gjetur mbulimin më të mirë të mundshëm shëndetësor me çmimin më të përballueshëm; është diçka që nuk është nën kontrollin tonë.”

Një parashikim ekonomik i Bankës së Amerikës dhe CFI Group thotë se bizneset e vogla po ecin mirë. Por, sipas Sue Lonergan, drejtore e degës së bankës për bizneset e vogla, ky optimizëm shprehet me kujdes.

“Bizneset e vogla ende hezitojnë të shpenzojnë, të zgjerohen, dhe të punësojnë më shumë, dhe janë gjithashtu nervozë për faktin se mund të ketë pasoja nga një inflacion i mundshëm i rrogave.”

Studimi tregon gjithashtu se shpirti sipërmarrës amerikan vazhdon të jetë i gjallë në një brez të lindur në vitet ‘80-të dhe ’90-të. Shumë prej tyre mezi presin të kenë biznesin e tyre dhe janë shumë optimistë për ekonominë.