Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, jep dorëheqjen

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, njoftoi dorëheqjen nga Kongresi. Ai tha se do të heqë dorë nga vendi i tij në organin ligjvënës në fund të tetorit.

Republikani nga shteti Ohajo është anëtar i Kongresit që nga viti 1990 dhe ka qenë nën presionin e elementëve të djathtë të Partisë së tij Republikane për një numër çështjesh. Ai pati disa takime të premten, në përpjekje për të arritur kompromis me kundërshtarët e tij konservatorë në parti, për të shmangur një mbyllje të mundshme të pjesës më të madhe të operacioneve të qeverisë federale javën e ardhshme, kur skadon afati për financimin e qeverisë.

Konservatorët kanë kërkuar që çdo legjislacion për vazhdimin e operimit të qeverisë përtej afatit të së mërkurës, për një marrëveshje buxhetore, të kushtëzohet nga lënia jashtë buxhetit për Programin e Planifikimit Familjar me financimin e qeverisë federale, argument që është hedhur poshtë nga ligjvënësit më pragmatikë.

"Puna e parë për çdo Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve është mbrojtja e institucionit të cilin të gjithë ne e duam. Kjo nuk lidhet me mua, por ka të bëjë me popullin dhe me institucionin”, - tha zoti Boehner.

"Kisha në plan të qëndroja në postin e Kryetarit deri në fund të vitit të kaluar, por qëndrova më gjatë për hir të vazhdimësisë në Konferencën Republikane dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Megjithatë, pikëpamja ime është se trazirat e gjata në udhëheqje do t’i bënin dëm të pariparueshëm këtij institucioni. Prandaj, do të jap dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Dhomës dhe nga vendi im në Kongres më 30 tetor”, tha zoti Boehner.

Lufta intensive mes udhëheqjes së Partisë Republikane dhe konservatorëve të vijës së ashpër, e ka kërcënuar vazhdimisht postin e zotit Boehner si Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe e ka përçarë Partinë Republikane.

Anëtarë të krahut të djathtë të Partisë e kanë kundërshtuar vazhdimisht zotin Boehner për gjithshka, nga shpenzimet federale, tek lufta kundër abortit.

Vetë zoti Boehner e mbështet pjesën më të madhe të kësaj axhende, por ai nuk është dakord nëse ajo duhet zbatuar duke mbyllur qeverinë federale.

Zoti Boehner i tha gazetarëve në një konferencë shtypi se ai e ka patur për nder të shërbejë në Dhomën e Përfaqësuesve për 25 vjet me radhë si udhëheqësit kryesorë. Ai tha se Kongresmeni i Kalifornisë Kevin McCarthy, numri dy i republikanëve në Kongres, “do të bëhej një kryetar i shkëlqyer i Dhomës.

“Misioni im çdo ditë është të përpiqem për të patur një qeveri më të vogël, me më pak shpenzime dhe më të përgjegjshme. Gjatë 5 viteve të fundit, shumica republikane i ka çuar përpara reformat konservatore dhe dëshiron t’i ndihmojë fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Jam krenar për arritjet tona,” tha zoti Boehner.

Presidenti Barack Obama e vlerësoi zotin Boehner si “një burrë i mirë” dhe “një patriot, i cili mban premtimin”.

Zoti Obama tha se ai shpreson se Kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve do ta kuptojë se politikanët mund të sjellin ndryshime, por se ata nuk duhet ta mbyllin qeverinë, ose në të kundërt, ekonomia ameriklane rrezikon lidhur me këto mosmarrëveshje.

Udhëheqësja e pakicës demokrate Nancy Pelosi e cilësoi “sizmike” dorëheqjen e zotit Boehner.

Pas këtij lajmi, disa ligjvënës republikanë thanë se nuk do ta mbyllin javën e ardhshme qeverinë, në përpjekje për të ndalur financimin e programit “Planned Parenthood”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është personi që merr drejtimin e vendit, në rast se Presidenti dhe Nënpresidenti humbin aftësinë për të kryer funksionet.