BP: Nën kontroll një e pesta e naftës që rrjedh në Gjirin e Meksikës

  • Zëri Amerikës

Kompania BP thotë se ka vënë nën kontroll një të pestën e naftës që rrjedh nga pusi i çarë në Gjirit të Meksikës.

Duke folur sot për një kanal televiziv, shefi i operacioneve të kompanisë tha se një tub gati 2 kilometra i gjatë po grumbullon 1 mijë fuçi nafte në ditë nga pusi duke e çuar në një anije çisternë.

Zyrtari tha se kompania shpreson ta shtojë sasinë e naftës që tërheq nga e çara dhe ta ndalë rrjedhën në fund të kësaj jave.

Por zyrtarët amerikanë janë të pakënaqur me përpjekjet e BP-së dhe thanë se teknikat nuk po e zgjidhin problemin. Sekretari i burimeve natyrore Ken Salazar dhe Sekretarja për Sigurinë Kombëtare Janet Napolitano thanë se nuk do të heqin dorë derisa kompania të mbyllë pusin dhe të pastrojë zonën.