Akuza ndaj ish-presidentit të Brazilit

Ndaj ish-Presidentit të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, janë ngritur akuza për pastrim parash dhe korrupsion. Vetëm një muaj më parë, pasardhësja e tij, ish-Presidentja Rousseff, u shkarkua nga Kongresi brazilian.

Hetuesit federalë i njoftuan akuzat për zotin Lula dje si pjesë e hetimit për korrupsion në kompaninë shtetërore të naftës, “Petrobras”.

Ish-presidenti, bashkëshortja e tij dhe disa persona të tjerë akuzohen se kanë përfituar nga punimet në një resort bregdetar, të realizuara nga një kompani ndërtimi e lidhur me skandalin “Petrobras”.

Avokati i familjes da Silva foli për gazetarët dhe i mohoi akuzat:

“Zoti Lula po akuzohet si kreu i një organizate kriminale, por ata harruan gjënë kryesore – të paraqesin prova.”

Skandali në fjalë solli edhe shkarkim nga detyra të pasardhëses, ish-Presidentes Dilma Rousseff, e zgjedhur po nga vetë zoti Lula. Kongresi i Brazilit ngriti akuza ndaj presidentes së parë grua të vendit, për shkelje të rregullave të buxhetit, ndërsa është rritur pakënaqësia ndaj saj për menaxhimin e reçesionit më të rëndë të vendit, që nga vitet ’30-të.

Akuzat për zotin Lula do të paraqiten tani tek gjykatësi federal që është caktuar për çështjen “Petrobras”. Ai do të vendosë nëse zoti Lula do t’i nënshtrohet proçesit gjyqësor.