Brazil: gjykata i kërkon ish presidentit të dorëzohet tek autoritetet

Një gjykatës brazilian urdhëroi ish-presidentin Luiz Inacio Lula da Silva të dorëzohet tek autoritetet deri sot pasdite në mënyrë që të nisë vuajtjen e një dënimi me 12 vjet burg, lidhur me akuza për korrupsion.

Mandat-arresti u lëshua vetëm disa orë pasi Gjykata e Lartë Federale, votoi 6 me 5 duke i mohuar një kërkesë ish-presidentit Lula për të mos u burgosur ndërsa ai e ka apeluar vendimin ndaj tij.

Da Silva u shpall fajtor vitin e kaluar për marrje ryshfeti lidhur me një apartament në bregdet, në këmbim të kontratave qeveritare ndaj një kompanie ndërtimi.

Partia e tij e Punëtorëve e cilësoi vendimin si "një ditë tragjike për demokracinë dhe Brazilin".

Avokatët e tij thanë se do të nisnin procedurat për nxjerrjen e një urdhri gjyqësor me shpresën për ta mbajtur Lulën jashtë burgut.

Ish-presidenti thotë se akuzat ndaj tij për korrupsion janë të motivuara politikisht me qëllimin për ta penguar atë të kandidojë sërisht për postin e presidentit në zgjedhjet e tetorit.

Teknikisht, vendimi i Gjykatës Federale të Lartë nuk e lë Lulën jashtë fletëvotimit. Në gusht, gjykata më e lartë zgjedhore e vendit pritet të marrë një vendim përfundimtar lidhur me kandidaturat. Gjykata pritet t’i mohojë Lulës kandidimin bazuar në ligjin për pastërtinë e figurës, që skualifikon ata persona që kanë marrë dënime penale.