Kryeministrja May kërkon afat deri më 30 qershor për Brexitin

Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, kërkoi të premten që afati për largimin e vendit të saj nga Bashkimi Evropian, të zgjatet deri më 30 qershor.

Në një letër dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, kryeministrja May shkroi se “propozimi i Mbretërisë së Bashkuar është që periudha e largimit të përfundojë me 30 qershor 2019”.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan muajin e kaluar që të zgjasin afatin e Brexitit që ishte paraparë për 29 mars, deri më 12 prill.

Evropianët do të dëshironin që Britania të mos marrë pjesë ne zgjedhjet për Parlamentin Evropian që mbahen nga 23 deri më 26 maj, nëse ajo do të largohet nga blloku. 12 prilli është dita e fundit kur Britania duhet të tregojë nëse do të përcaktojë kandidatët për ato zgjedhje.

Ne letrën e zonjës May, thuhet se qeveria e saj do të hartojë planet rezervë për pjesëmarrje në zgjedhje, nëse nuk do të ketë marrëveshje për Brexitin deri më 23 maj.

Më herët presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha do të dëshironte që Britania të ketë një afat deri në prillin e ardhshëm për të hartuar një plan të zbatueshëm për largimin nga Bashkimi Evropian.

Parlamenti britanik refuzoi tre herë radhazi marrëveshjen e negociuar nga zonja May për largimin nga Bashkimi Evropian, por dështoi po ashtu të ofrojë ndonjë alternativë për këtë proces.