Bulqizë: 1 i vdekur dhe 7 të plagosur nga shpërthimi në një galeri të minierës

  • Armand Mero

Bulqizë: 1 i vdekur dhe 7 të plagosur nga shpërthimi në një galeri të minierës

Në Shqipëri një shpërthim ndodhi sot në minierën e Bulqizës në veri të vendit ku për pasojë humbi jetën një punonjës i minierës ndërsa 7 të tjerë mbetën të plagosur.

Shpërthimi ndodhi në një nga galeritë ku po kryeheshin matjet e gazrave, sqaroi kompania austriake, e cila administron minierën.

Ndërsa një nga punonjësit u nxorr pa jetë nga rrënojat, dy të tjerë u dërguan me shpejtësi në spitalin ushtarak në Tiranë ku ju nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale.

Të tjerët u shtruan në spitalin e Bulqizës pa shenja të rrezikut për jetën. Sipas ministrisë së ekonomisë, që prej një jave ishte lëshuar një urdhër për ndalimin e punimeve në minierë derisa të garantoheshin kushtet e sigurisë.

Deri pak javë më parë puna në këtë minierë ishte bllokuar për shkak të një greve të gjatë të minatorëve që kërkonin rritje page dhe përmirësim të kushteve të punës.