Arrin në 378 vetë numri i të vdekurve gjatë Festivalit të Ujit në Kamboxhia

  • Zëri Amerikës

Arrin në 378 vetë numri i të vdekurve gjatë Festivalit të Ujit në Kamboxhia

Familjet kamboxhiane vazhduan edhe sot të kërkojnë nëpër spitalet e kryeqytetit Pnom Pen për të gjetur të afërmit e tyre mes të paktën 378 njerëzve që gjetën vdekjen të shtypur nga turma në një festival të madh.

Shumica e viktimave u shtypën, u asfiksuan ose u mbytën në ujë kur një turmë e madhe njerëzish në një ishull të lumit Tonle Sap, u përfshi nga paniku dhe vrapoi për të kaluar në bregun tjetër nëpër një urë të ngushtë.

Dëshmitarët thanë se disa prej njerëzve në turmë u detyruan të hidheshin nga ura për të mos u shkelur nga turma.

Kryeministri i Kamboxhias, Hun Sen, tha se kjo është “tragjedia më e madhe” që ka goditur vendin që nga regjimi komunist i Khmerëve të Kuq që vendosën një pushtet terrori në vitet ‘70. Ai e shpalli të enjten ditë zie kombëtare për viktimat.

Në emër të Shteteve të Bashkuara, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, shprehu ngushëllime të thella për njerëzit që humbën jetën në këtë tragjedi. Ajo shpehu besim se kamboxhianët do të dinë të mbijetojnë në këto kohë të vështira.