Sfidat e qeverisë së Kinës për të paraqitur imazhin e saj

Qeveria kineze shpenzon çdo vit miliona dollarë për të përhapur pikëpamjet e saj jashtë vendit.

Këto financime janë përballur disa herë me dështime, që nga përjashtimet nga universitetet të instituteve “Konfuci” e deri te përplasjet me studentët lidhur me organizimin e fjalime të Dalai Lamës.

Gjatë muajve të fundit, përpjekjet e Pekinit në Shtetet e Bashkuara janë bërë objekt hetimesh gjithnjë e më të shpeshta, kryesisht investimet në Hollivud, që kanë shtuar shqetësime se Partia Komuniste e grushtit të hekurt, po përpiqet të përhapë stilin e vet të censurës dhe kontrollit.

Por një drojë e tillë, argumentojnë analistët, është e ekzagjeruar.

Pikëpamja kineze

Ndërsa ekonomia kineze mund të zgjerohet dhe të rritet ndikimi i saj global, Pekini po përpiqet të korrigjojë ato që i cilëson si portretizime të pasakta të saj. Presidenti kinez Xi Jinping shpesh flet rreth asaj që e cilëson si përpjekje për të paraqitur saktë pikëpamjen kineze.

Pekini synon ta portretizojë Kinën si “një qytetërim të lashtë dhe të pasur,” thotë Clayton Dube, drejtor i Institutit Amerikano-Kinez në Universitetin e Kalifornisë së Jugut.

Shumë prej këtyre përpjekjeve bëhen hapur përmes transmetimeve të medias shtetërore jashtë vendit si Televizioni Qendror Kinez, i cili kohët e fundit ka ndërruar emrin në Rrjeti Televiziv Global i Kinës ose CGTN. Po ashtu edhe përmes reklamave në formë editoriali në gazetat amerikane.

Në raste të tjera, përpjekje të tilla bëhen në rrugë të fshehta.