SHBA, thirrje për unitet kundër ekstremizmit

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, thotë se vendeve të botës i nevojitet të lidhen me njëri tjetrin, për t’iu kundërvënë ekstremistëve të cilët përpiqen të minojnë përparimin e demokracisë në vendet e Afrikës veriore dhe të Lindjes së Mesme, të përfshira kohët e fundit në trazira me dhunë.

Zonja Clinton foli sot në New York, në takimin e Nismës Globale Clinton, forumi i përvitshëm për çështje botërore, që udhëhiqet nga bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Clinton. Ajo tha se uniteti mes udhëheqësve botërorë në luftën kundër terrorizmit është thelbësor, “ngaqë ekstremistët në mbarë botën janë duke u përpjekur shumë për të na përçarë”.

Zonja Clinton tha se lëvizjet për demokraci që janë përhapur në mbarë botën “krijojnë mundësi të jashtëzakonshme për vendet që janë sunduar nga diktatorë për vite me radhë.” Por ajo shtoi se vendet që përballen me ndryshime duhet të marrin një vendim lidhur me çështjen se si të mund t’i kthejnë më mirë idealet e tyre demokratike në qeveri funksionale dhe në ekonomi të zhvilluara.”