DASH reagon ndaj incidentit me dhunë të 27 shtatorit në veri të Kosovës

  • Isabela Cocoli

DASH reagon ndaj incidentit me dhunë të 27 shtatorit në veri të Kosovës

Departamenti amerikan i Shtetit reagon ndaj incidentit me dhunë të së martës në veri të Kosovës ku mbetën të plagosur paqeruajtës të NATO-s dhe protestues serbë. Në një deklaratë që bëri dje, Departamenti i Shtetit dënoi sulmin me dhunë të një turme serbësh kundër forcave të KFOR-it më 27 shtator.

Trupat e KFOR-it po ç’montonin një bllokim rruge dhe po ngrinin një pikë kontrolli automjetesh në një pikë të paautorizuar kalimi kufitar, kur u gjendën nën sulmin e serbëve, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit. Me keqardhje, vazhdon deklarata, nëntë anëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë incidentit, i cili ndodhi ndërkohë që trupat po përmbushnin përgjegjësitë e tyre në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se po vazhdon të ndjekë nga afër zhvilliet në veri të Kosovës dhe u bën thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë, të shmangin aktet provokuese dhe retorikën që nxit dhunën, si dhe të lejojnë lirinë e lëvizjes.

Departamenti i Shtetit thekson se liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave është në interesin më të mirë të Kosovës dhe Serbisë, dhe në përputhje me aspiratat e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Bllokimet e rrugëve, barrikadat dhe dhuna, thuhet me tej në deklaratën e Departamentit të Shtetit, bëhen vetëm pengesë për normalitetin e jetës së përditëshme të banorëve të Kosovës dhe Serbisë, dhe pengojnë lirinë e tyre të lëvizijes.

Departamenti i Shtetit u bën thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë të qendrojnë të angazhuara të procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të inkurajojnë qetësinë dhe të gjejnë rrugën e marrëveshjes për përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dy vendeve.

Ndërkaq, dje pas dite, ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, kritikoi praninë e KFOR-it për prishjen e barikadës rrugore dhe ngritjen postbllokut në pikën e paautorizuar të kalimit, duke thënë se ajo bie ndesh me mandatin e forcës.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e siguroi ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavror, se KFOR-i do t’i përmbahej thjesht statusit të tij neutral. Se çfarë dreqin bënte KFOR-i në atë bllokim rrugor, nuk mund ta kuptoj”.

Çurkin mbrojti përsëri tezën e Rusisë në mbështetje të Serbisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është e jashtëligjshme dhe se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera evropiane që e kanë njohur atë janë përgjegjëse për këtë situatë të nderë në Kosovë.

Edhe Beogradi ka kritikuar praninë ndërkombëtarë si shkak për nxitjen e dhunës Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, tha se KFOR-i ka përdorur forcë të paarsyeshme mbi protestuesit serbë. Banorët serbë në Mitrovicë fajësojnë amerikanët që janë pjesë e KFOR-it për dhunën e të martës, si dhe ushtarakët gjermanë.

Por, zyrtarë të KFOR-it thanë se ishin grupe dhe individë serb që nxitën dhunën, ndërsa u zotuan se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet e përcaktuara në mandatin e tyre për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Dhuna është dënuar edhe nga Bashkimi Evropian, I cili ka shprehur mbështetje të plotë KFOR-it dhe EULEX-it në përpjekjet për vendosjen e qetësisë në veri. Dhuna u dënua edhe nga Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili e quajti të papranueshëm çdo sulm ndaj pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Që nga 16 qershori rrugët e veriut të Kosovës janë bllokuar nga barrikadat e vendosura nga serbët në shenjë pakënaqësie me praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në atë zonë. Ata kërkojnë largimin e tyre nga vendkalimet kufitare, kërkesë që është hedhur poshtë edhe nga qeveria e Kosovës.