Demokratë në Kongresin amerikan vazhdojnë negociatat mbi buxhetin federal

  • Zëri Amerikës

Demokratë në Kongresin amerikan vazhdojnë negociatat mbi buxhetin federal

Demokratët dhe republikanët në Kongresin amerikan vazhdojnë negociatat mbi buxhetin federal, ndërkohë që afrohet afati për mbylljen e mundshme të qeverisë nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Presidenti Barak Obama bisedoi në telefon sot me kreun e dhomës së përfaqësuesve Xhon Bejnër dhe kreun e shumicës në senat Heri Rid. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhei Karni tha se presidenti mund të kërkojë takim me udhëheqësit e kongresit sot ose nesër.

Fondet e tanishme për qeverinë federale skadojnë të premten. Qeveria amerikane ka vazhduar funksionimin me disa masa financimi që nga fillimi i vitit fiskal 2011 me 1 tetor.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Obama nuk ka në plan të ndryshojë itinerarin e tij. Presidenti do të shkojë në Pensilvani dhe Nju Jork dhe do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë sonte në mbrëmje.

Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve se nëse nuk arrihet një marrëveshje për buxhetin, shërbimet e agjencive që nuk konsiderohen qenësore do të mbyllen pas të premtes.

Presidenti u tha gazetarëve sot se pas takimit me zotin Bejnër dhe zotin Rid, do të ishte e pafalshme nëse rapublikanët dhe demokratët nuk arrijnë kompromis mbi kërkesat e tyre buxhetore.