Zyrtari më i lartë ushtarak amerikan, kreu i shtatmadhorisë, gjeneral Martin Dempsey ndodhet në Irak për bisedime me komandantët amerikanë dhe zyrtarët irakianë për fazën e ardhshme të zgjerimit të luftës ndaj grupit Shteti Islamik.
Gjenerali Dempsey mbërriti sot në Bagdad ku u takua me kryeministrin irakian, Haider al-Abadi.
Një zëdhënës irakian tha se kryeministri shpreson për një bashkëpunim ushtarak të ngushtë nga ana e Shteteve të Bashkuara por se nuk po kërkon trupa luftarake në terren nga asnjë vend.
Para disa ditësh Gjenerali Dempsey tha se zyrtarët amerikanë mund të shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së një numri të kufizuar trupash amerikane për të luftuar përkrah forcave irakiane.
Agjencia e lajmeve Reuters njofton se gjenerali Dempsey u takua gjithashtu me një grup marinsash amerikanë në ambasadën amerikane në Bagdad dhe u tha se lufta kundër Shtetit Islamik ka filluar të japë rezultat.