Rusia përballë akuzave për doping në atletikë

Agjencia Botërore kundër Dopingut, rekomandoi sot që organizata botërore e atletikës ta përjashtojë Rusinë nga garat pasi agjencia zbuloi se Rusia ka fshehur rezultatet pozitive të analizave të gjakut për doping.

Në një raport të publikuar sot, agjencia tha se atletë të njohur rusë, përfshirë sportistë olimpikë dhe fitues të aktiviteteve të tjera prestigjioze kanë qenë të përfshirë për një kohë të gjatë në një program sistematik dopingu ku kanë luajtur rol disa nga zyrtarët rusë të sporteve.

Në raport implikohen atletë, trajnerë, mjekë dhe disa institucione ruse, përfshirë agjencinë kombëtare kundër dopingut dhe një laborator të akredituar në Moskë që bënte analizat për Lojrat Olimpike të Vitit 2014 në Soçi.

Komisioni rekomandoi që agjencia ta shpallë Rusinë si “në shkelje” të kodit global për anti-doping dhe që Shoqata Ndërkombëtare e Atletikës ta pezullojë Rusinë nga garat.