Powers, shtim i përpjekjeve kundër Ebolës

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara po bën thirrje për një përgjigje më të fortë ndaj shpërthimit të Ebolës që ka shkaktuar vdekjen e rreth 5,000 njerëzve në Afrikën Perëndimore.

Samantha Powers në një postim në Twitter, pasi kaloi një ditë në Guine, tha se "niveli i nevojave është tronditës" dhe madje edhe "burimet më themelore do të ndihmonin për shpëtimin e jetës së njerëzve".

Ajo ndodhet në Afrikën Perëndimore ku do të vizitojë vendet më të goditura nga Ebola, duke përfshirë Sierra Leonen dhe Liberinë.

Vizita e saj në Afrikën Perëndimore vjen pas një vendimi të guvernatorit të shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo për të rishikuar politikën e karantinës për punonjësit shëndetësorë të cilët kthehen në Shtetet e Bashkuara pas trajtimit të pacientëve me Ebola në Afrikën Perëndimore:

"Punonjësve të kujdesit shëndetësor që kthehen nga ky rajon, të cilët janë ekspozuar ndaj njerëzve të infektuar dhe qytetarëve të ekspozuar që kthehen në Shtetet e Bashkuara , do t’u kërkohet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për një karantinë 21-ditore. Gjatë këtyre 21 ditëve ata do t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore dy herë në ditë".

Udhëzimet e reja erdhën vetëm dy ditë pasi zoti Cuomo dhe guvernatori Chris Christie i shtetit fqinj të Nju Xhersit së bashku njoftuan një karantinë të detyrueshme 21-ditore për personelin mjekësor që kthehet nga Afrika Perëndimore.

Karantina e detyrueshme u vu në zbatim, pasi një mjek i cili kishte trajtuar pacientë në Guine u bë personi i parë në Nju Jork i diagnostikuar me Ebola.

Një infermiere e cila ka punuar në Sierra Leone u bë personi i parë që iu nënshtrua karantinës së detyrueshme në Nju Xhërsi, pasi ajo arriti të premten në Aeroportin Ndërkombëtar të Njuarkut.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar Amerikan të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, tha të dielën se vendosja e një karantine të detyrueshme për personelin mjekësor që punon në Afrikën Perëndimore do të dekurajonte të tjerët të udhëtojnë në rajon për të ndihmuar në luftën kundër Ebolës.