Qeveria dhe opozita reagime për statusin e nëpunësit

Kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama kërkoi mirëkuptimin e opozitës mbi këtë shtyrje për statusin e nëpunësit civil
Parlamenti shqiptar miratoi sot me 76 votat e gjithë deputetëve të pranishëm ndryshimet në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, të cilat tashmë ndalojnë plotësisht importimin e tyre. Veprimtarët e mjedisit dhe Aleanca Kundër Importit të Plehrave kërkuan për gati dy vjet, që të hiqeshin dy nene nga ligji i hartuar nga Partia Demokratike për të ndaluar importet e mbetjeve, ndërsa Partia Socialiste hoqi sot 3 nene, duke hequr çdo mundësi që të hyjnë në Shqipëri mbetje nga shtete të tjera për fabrikat e riciklimit. Ashtu si shoqëria civile edhe shumica e re socialiste në parlament pohuan se tashmë që u lanë pas porte mbetjet e jashtme, sfida më e madhe është pastrimi mbetjeve vendase.


Ndërkaq parlamenti shtyu sot miratimin e aktit normativ për statusin e nëpunësit civil. Kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama, kërkoi mirëkuptimin e opozitës mbi këtë shtyrje, sepse, sipas tij, qëndrimi i deritanishëm është i pafrytshëm. Zoti Rama tha se ligji i ri është i pazbatueshëm, ka nevojë për disa akte nënligjore. Ai tha se “qëllimi i vetëm i qeverisë është ta bëjë këtë ligj të zbatueshëm, sepse nga ligji i vjetër te ligji i ri ka një vakuum aktesh, të cilat duhen votuar nga parlamenti, ndaj ftoi opozitën të marrë pjesë.

Por opozita u përgjigj menjëherë kësaj ftese, edhe pse nuk mori pjesë në seancën e sotme të parlamentit. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ishin socialistët ata që e shkelën mirëkuptimin për këtë ligj, të miratuar tashmë nga parlamenti i kaluar me votat e të gjitë palëve. Zoti Basha tha se qeveria duhet të tërheqë aktin normativ, i cili shtyn zbatimin e ligjit, deri në hartimin e akteve nënligjore. Sipas tij, akti normativ shkatërroi mirëkuptimin dhe hodhi poshtë votat unanime që dha parlamenti për statusin e nëpunësit civil. “Zoti Rama po e fton opozitën jo për mrëkuptim, por për nënshktrim - tha zoti Basha, -sepse qeveria po zhbën me një akt normativ antikushtetues një ligj të miratuar me 3/5 e votave të parlamentit, i cili i mbyll rrugën spastrimeve politike në administratën shtetërore”.

Opozita u bë gati dy javë që ka braktisur punimet e parlamentit pikërisht për shkak të aktit normativ të qeverisë të 30 shtatorit, i cili shtyu hyrjen në fuqi të ligjit konsensual për statusin e nëpunësit civil. Mirëkuptimi dypartiak, sipas analistëve, nuk duket i lehtë në sallën e parlamentit ku shumica ka vota të mjaftueshme për të hedhur cdo hap që projekton më tej, ndërsa opozita vazhdon të mbrojë cdo hap që ka hedhur deri tani.