Ekspertët kërkojnë eshtrat e viktimave në liqenin e një dige të Bosnjes

Ekspertët kërkojnë eshtrat e viktimave në liqenin e një dige të Bosnjes

Riparimi që po i bëhet një dige në Bosnjen lindore, i pari pas shumë dekadash, po i lejon ekspertët të kërkojnë në shtratin e zbrazur të liqenit eshtrat e trupave të hedhur atje. Ato janë trupa myslimanësh të Bosnjes, shqiptarësh të Kosovës dhe madje nazistësh gjermanë.

Për breza me radhë, forca të ndryshme luftuese i kanë hedhur trupat e viktimave në Lumin Drina që ndan Serbinë nga Bosnja por kalimi i kohës nuk ka bërë që ato viktima të harrohen.

Javët e fundit, ekspertë mjeko-ligjorë kanë vazhduar kërkimet në liqenin Peruçaç të Drinas, i cili u zbraz nga uji për të bërë riparimin e digës. Ata po zbulojnë eshtra myslimanësh të Bosnjes, shqiptarësh të Kosovës dhe madje edhe nazistësh gjermanë që mbajnë medaljen e kryqit të hekurt. Eksperti Matt Vennemeyer, shpjegon:

"Po shfrytëzojmë këtë kohë kur niveli i ujit është i ulët për të gjetur sa më shumë eshtra para se uji të ngrihet përsëri, ndoshta muajin tjetër.”

Ekspertët ecin përgjatë brigjeve të lumit për të gjetur trupat. Vetëm analiza e AND-së mund të identifikojë eshtrat në këtë vend që quhet “lumë i përgjakur” dhe ku janë hedhur kryesisht viktima myslimane të luftës së Bosnjes si ato nga Lufta e Dytë Botërore.

"Eshtrat duket se i takojnë periudhave të ndryshme. Disa trupa mund të jenë këtu prej 15 vjetësh, të tjera që prej 100 vjetësh. Puna është të dokumentojmë sa më shumë brenda kësaj kohe të shkurtër dhe ndoshta të identifikojmë sa më shumë trupa sidomos me anë të AND-së,” thotë Vennemeyer.

Brenda dy javësh, ekspertët kanë gjetur rreth 50 trupa në një zonë që shtrihet deri në 120 kilometra.

"Dihet se më tepër se 2 mijë boshnjakë si dhe një numër kroatësh dhe shqiptarësh nga Vishegradi janë vrarë gjatë agresionit kundër Bosnjes dhe trupat e tyre janë hedhur këtu,” shpjegon eksperti nga Bosnja Amor Masoviç.

Masoviç, i cili ka drejtuar shumicën e zhvarrimeve në Bosnje, thotë se ai kurrë nuk ka qenë dëshmitar i një operacioni në këto përmasa. Ky, tha ai, është shansi i fundit për të gjetur viktimat.

"Pas 10 ose 15 vjetësh kur të bëhet riparimi tjetër, do të jetë e pamundur të gjenden eshtrat për shkak të rritjes së nivelit të ujit në liqen dhe të shtresave të baltës që do të mbulojnë brigjet e lumit,” thotë Masoviç.

Sot, një delegacion i gjykatës speciale serbe për krimet e luftës filloi gjithashtu punën për kërkimin e shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga forcat serbe gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, trupat e të cilëve janë hedhur në liqen me një kamion frigorifer.

Zhytësit dhe policia speciale serbe po kërkon edhe në shtratin e sipërm të lumit, thotë Vellko Odalloviç, i cili kryeson komisionin serb për personat e zhdukur.