Rusia dhe Turqia dakord për zonë të çmilitarizuar në Idlib

Rusia dhe Turqia kanë rënë dakord të krijojnë një "zonë të çmilitarizuar" në rajonin Idlib të Sirisë për të ndarë forcat qeveritare siriane nga luftëtarët rebelë, njoftoi Presidenti rus Vladimir Putin pas një takimi të gjatë në Soçi me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan.

Presidenti Putin tha se zona e planifikuar do të ishte e thellë 15 deri në 20 kilometra dhe e patrulluar nga ushtarët turq dhe rusë. Putin tha gjithashtu se zona do të krijohet deri në datën 15 tetor.

Idlibi është një nga zonat e fundit të mbetura të rezistencës ndaj forcave të presidentit sirian Bashar al-Assad. Rreth gjysma e popullsisë prej 3 milionësh janë zhvendosur tashmë nga zona të tjera dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim se një ofensivë qeveritare mund të çojë në zhvendosje të mëtejshme dhe humbje masive të jetës së civilëve.

Megjithëse Rusia është një aleate e ngushtë e qeverisë së Asadit dhe është shprehur se qeveria e tij ka të drejtën për të rimarrë rajonin, Turqia ka shprehur gjithnjë e më shumë shqetësime në lidhje me një fatkeqësi të mundshme humanitare dhe ka dërguar trupa në zonë për të shmangur një ofensivë.

Më parë këtë muaj, zoti Erdogan u takua me Presidentin Putin dhe me presidentin iranian Hassan Rouhani, në një konferencë trepalëshe në Teheran. Bisedimet siç duket u bllokuan lidhur me përpjekjet për të shmangur konfliktin në Idlib. Teherani gjithashtu mbështet Damaskun në luftën civile shtatëvjeçare të Sirisë.