Takimi i radhës Kosovë - Serbi, më 31 gusht

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, do të ndërmjetësojë të enjten më 31 gusht, takimin e radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Your browser doesn’t support HTML5

Takimi i radhës Kosovë - Serbi, më 31 gusht

Ajo tha të hënën se të dy presidentët do të "shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas pajtimit të tyre në muajin korrik që të fillojnë përgatitjet për një fazë të re të bisedimeve". Në takim pritet të diskutohet edhe çështja e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedime.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, qenë takuar më 3 korrik dhe pas atij takimi thanë se janë pajtuar që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të hyjnë në një periudhë të re ku do të diskutohen çështje më me peshë sesa aspektet teknike.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha atëherë se periudha e re e bisedimeve do të qonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes të dyja vendeve dhe të dy popujve. Ajo periudhë do të mbyllë kapitullin e errët të së kaluarës dhe do të hapë një perspektivë të sigurt për të ardhmen evropiane, tha ai duke shfaqur besimin se "normalizimi dhe pajtimi në mes të shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe do të arrihet".

Presidenti i Serbisë, Alesksandër Vuçiç, tha se aty ishte shtruar thelbi i përmbajtjes së bisedimeve në të ardhmen ku do të bisedohet për çështje thelbësore se si i shohin palët marrëdhëniet ndërmjet tyre për një, dy apo pesë vjet. Kjo do të thotë, sipas tij se duhen biseda me serioze dhe më të guximshme brenda opinionit serb dhe atij shqiptarë duke vënë theksin tek fakti se siç tha, "po bëhen përpjekje për të çuar përpara çështje më të rëndësishme sesa çështjet teknike".

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në fund të korrikut paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për, siç tha, zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës.

Aleksandër Vuçiç, një ish ultra nacionalist që pohon të jetë shndërruar në një reformator pro evropian, ishte pjesë e Partisë Radikale Serbe të drejtuar nga ultra nacionalisti Vojislav Sheshel deri në vitin 2008. Gjatë luftës në Kosovë, ai kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë. Në qershor të këtij vitit ai mori postin e presidentit të Serbisë.

Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton, pavarësinë e Kosovës të shpallur më vitin 2008, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Presidenti serb është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës.

Më shumë se dy vjet më parë, në maj të vitit 2015, presidenti serb, atëbotë kryeministër i Serbisë, kishte paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai kishte thënë atëbotë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e kushtetutës serbe.

Nisma e tij nxiti shumë reagime në Serbi ku janë hedhur edhe ide për ndarjen e Kosovës, ide këto që janë hedhur poshtë nga Prishtina.

Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet e deritashme i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ndërsa Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian.