Zhvillimi i Gjermanisë ofron jetë për euron

  • Henry Ridgewell
Tremujorin e fundit, ekonomia gjermane u rrit me 0.3 për qind: vende të tjera të eurozonës përjetuan ngecje ose tkurrje ekonomike
Ndërsa kriza e eurozonës ka një ndikim tepër negativ për ekonomitë e Evropës jugore, ekonomia gjermane ka pasur një zhvillim modest. Shtrohet pyetja: Si ka arritur Gjermania të përballojë stuhinë financiare? Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Berlini mbi faktorët që nxisin zhvillim ekonomik të Evropës dhe se si tregjet e reja mund të jenë të rëndësishme për të ardhmen.

Dieter Burmester është shumë i dhënë pas punës dhe pasionit të tij, muzikës.
Kompania e tij me bazë në Berlin prodhon paisje audio me vlerë prej mijëra dollarësh, që mund t’i gjesh në makinat luksoze Porsche dhe Bugatti.
Por si e shikon zoti Burmester ndikimin e krizës së euros?

“Çfarë krize? A ka krizë? Me sa di unë deri tani industria po ecën shumë mirë dhe këtë e dimë nga prodhuesit e makinave, nga kompani të mëdha si Siemens ose Bayer. Edhe gjendja jonë është shumë e mirë, ne i kemi shtuar fitimet”.

Firma Burmester është shembull tipik i një kompanie të mesme gjermane. Ajo është pronë e plotë e themeluesit të saj dhe ka vetëm 50 punonjës; ajo nuk mbijeton nga huatë e mëdha e megjithatë konkuron me firma të mëdha globale.

“Mendoj se ndërtimi i një kompanie të tillë Si Burmester, është diçka shumë e vështirë. Por në Gjermani ne kemi një situatë të favorshme. Infrastruktura, furnizuesit që ne kemi, fakti që ne kemi punonjës të arsimuar dhe shumë të angazhuar, krijon kushtet e një situate shumë të mirë".

Tremujorin e fundit, ekonomia gjermane u rrit me 0.3 për qind. Vende të tjera të eurozonës përjetuan ngecje ose tkurrje ekonomike.

Analisti Ferdinand Fichtner i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike thotë se elasticiteti i Gjermanisë i ka rrënjët pikërisht në kompani të tilla rtë mesme.

“Ato janë boshti i ekonomisë gjermane. Rreth 2 të tretat e të punësuarve në Gjermani bëjnë pjesë në këto kompani dhe ndoshta më i rëndësishëm është fakti që rreth 8 për qind e të trejnuarve në sektorin industrial janë të punësuar në kompanitë e mesme dhe të vogla”.

Gjashtë orë larg Berlinit me tren të shpejtësisë së lartë ndodhet qyteti Shtutgard, qendër e kompanive të mëdha si Porsche dhe Mercedes.

Këtu në vitet 1870, Karl Benz dhe Nikolaus Otto proddhuan automobilin modern. Industria gjermane e automobilëve është tani më e madhja në Evropë. Kompani si Mercedesi janë udhëheqësit e ekonomisë gjermane. Por ato nuk janë burimi i vetëm suksesi. Në një makinë si kjo ka shumë pjesë që prodhohen nga kompani të vogla e të mesme, shumë prej tyre tepër novatore në fushat e tyre.

Në Berlin, adresat e etiketave në magazinën e firmës Burmester flasin për një burim gjithnjë e në rritje të të ardhurave: Azia. Eksportet gjermane në vende jashtë Bashkimit Evropian u rritën me 20 për qind në muajin qershor, krahasuar me një vit më parë. Për krahasim, eksportet e vendeve të tjera të eurozonës ranë me 3 për qind.

Analistët thonë se, që kur Gjermania filloi përdorimin e euros, eksportet gjermane përfituan nga monedha e dobët. Por anketat e opinionit tregojnë se rreth 50 për qind e gjermanëve mbështesin kthimin e monedhës gjermane. Dhe megjithë krizën e euros, kjo shifër ka mbetur thuajse e pandryshuar gjatë viteve të fundit.

Nëse Gjermania shmang recesionin, që ka prekur pjesën tjetër të eurozonës, analistët thonë se kjo do t’i atribuohet kryesisht kompanive të mesme si Burmester.