Britania drejt referendumit për qëndrimin në BE

Kryeministri britanik David Cameron kryesoi sot një mbledhje të kabinetit qeveritar, pas arritjes së një marrëveshjeje me homologët e 27-të vendeve për të mbajtur Britaninë brenda Bashkimit Evropian, me një status të veçantë. Takimi i kabinetit qeveritar është vetëm hapi i parë drejt një fushate të vështirë deri në një referendum në muajin qershor, për të bindur votuesit britanikë se vendi duhet të vazhdojë të jetë pjesë e bllokut prej 28 vendesh anëtare.

Përpara se të largohej nga Brukseli, zoti Cameron foli për gazetarët.

“Mendoj se jemi më të sigurtë dhe më të fortë brenda një BE-je të reformuar. Prandaj do të bëj fushatë me gjithë zemër për të bindur popullin britanik të qëndrojë në Bashkimin Evropian, në formën që kemi siguruar sot.”

Sipas marrëveshjes së arritur në samitin e BE-së në Bruksel, Britania ka përfituar të drejtën të kufizojë pagesat e sistemit të kujdesit social për punëtorët që vijnë nga vende të tjera të BE-së, si dhe i garantohet se nuk do të penalizohet për ruajtjen e monedhës paund dhe mospërdorimin e Euros.

Britanikët që kundërshtojnë marrëveshjen kanë argumentat e tyre.

“Marrëveshja nuk ka asnjë peshë. Nuk është marrëveshje e vërtetë dhe nuk do të ndryshojë asgjë. Tashmë do të zhvillojmë një fushatë të fuqishme dhe do të jetë në duart e popullsisë që t’i luftojë burokratët, korporatat dhe bankierët, për të rifituar të drejtën tonë për demokraci”, thotë një protestuese.

“Shpresoj ta përçojmë mjaftueshëm mesazhin tonë dhe që shumica e publikut do të vendosë të largohemi nga BE-ja dhe të mos gënjehen nga negociatat e pakuptimta të zotit Cameron”, thotë një tjetër protestues.

Kjo pyetje do të shtrohet në një referendum në muajin qershor dhe deri më tani votuesit duket se janë të ndarë përgjysëm.