Një diplomat iranian kërkon strehim politik në Finlandë

  • Zëri Amerikës

Një diplomat iranian kërkon strehim politik në Finlandë

Një diplomat iranian tha se do të kërkojë strehim politik në Finlandë pasi dha dorëheqje nga posti i tij në ambasadën iraniane në Helsinki.

Hosein Alizadeh tha sot se dha dorëheqjen për shkak të shtypjes nga qeveria iraniane e qytetarëve që protestonin kundër rizgjedhjes së Presidentit Mahmoud Ahmadinexhad vitin e kaluar.

Zoti Alizadeh e akuzoi Presidentin Ahmadinejad për vjedhjen e zgjedhjeve të qershorit 2009. Ai tha se zoti Ahmadinexhad nuk përfaqëson Iranin dhe nuk gëzon popullaritet mes iranianëve.

Zgjedhjet e vitit të kaluar u pasuan nga disa muaj protesta anti-qeveritare. Manifestimet nëpër rrugë çuan në arrestime masive dhe shtypjen e tyre të vazhdueshme nga forcat qeveritare.

Zoti Alizadeh është diplomati i dytë iranian në Evropë që dihet se jep dorëheqjen në shenjë proteste ndaj qeverisë iraniane.