Kaliforni - Shqetësimet për greminën fiskale

  • Mike O'Sullivan
Bisedimet po vënë në ankth kalifornezët, që mund të përballen me rrijen e taksave dhe shkurtimin e programeve qeveritare
Presidenti Barak Obama dhe udhëheqësit republikanë në Kongres janë të angazhuar në bisedime për të shmangur atë që quhet "greminë fiskale", shkurtimet e shpenzimeve dhe rritja e lartë e taksave që do të hyjë në fuqi në janar, nëse nuk arrihet deri në fund të vitit një marrëveshje për uljen e shpenzimeve të qeverisë dhe shtimin e taksave.

Ndikimi do të ndihet në të gjithë vendin, sidomos në një numër të vogël shtetesh që përfshin edhe Kaliforninë.

Robbie Reynolds mbështetet tek një klinikë komuniteti për kujdesin shëndetësor.

“Nuk e di në se do të mbijetoja dot pa ata. Gjatë gjithë këtyre viteve kam ardhur këtu pasi ka patur raste kur më është dashur nevojë urgjente.”

Kjo qendër shëndetësore mbështetet pjesërisht në financimet qeveritare dhe presidenti i klinikës Rise Phillips thotë se fati i saj është në pikëpyetje.

“Jam i shqetësuar për greminën fiskale, pasi do të shkurtohen 167 milionë dollarë që mund të ndikojnë në klinika si kjo e imja.”

Në Kaliforni ka shumë qendra kërkimore qeveritare, si një laborator i Nasës, Laboratori Kombëtar Lawrence Livermore dhe 10 kampuse të sistemit të Universitetit të Kalifornisë. Ky shtet do të humbiste më shumë se 11 miliardë dollarë gjatë pesë vjetëve të ardhshëm në se shkurtimet buxhetore hyjnë në fuqi dhe nuk arrihet një marrëveshje për të shmangur greminën fiskale. Humbja e vendeve të punës do të ndikojë gjithashtu në ekonominë e shtetit.

Në zyrat e grupit jo-fitimprurës Operation Hope që promovon edukimin financiar, të papunët mund të shohin për punë ose të marrin ndihmë për të filluar një biznes. Leonardo Cablayan thotë se njerëzit kanë ankth.

“Ata duan të dinë si do t’u ndikojë kjo në sigurimin shëndetësor, si do të ndikojë kjo në përfitimet e tjera që ata marrin. . .”

. . . si asistenca e papunësisë nga qeveria federale, por që pritet të skadojë.
Ata që punojnë janë të shqetësuar për mundësinë e ndryshimeve në kodin e taksave ndërsa pronarët e bizneseve janë të shqetësuar se konsumatorët do të shkurtojnë shpenzimet.

Lee Ohanian, ekonomist në Universitetin e Kalifornisë, dëshiron që niveli i taksave të jetë aq i ulët sa të nxisë rritjen ekonomike. Ai thotë se pa një marrëveshje për të mënjanuar greminën fiskale, niveli i taksave për shtresën e pasur në Kaliforni, kombinuar me taksat shtetërore dhe lokale, do të arrijë në 60 përqind.

“Ne kemi problemin e vendeve të punës në ekonominë tonë. Ai do të përkeqësohet në se kongresi miraton politika të gabuara ose në se ndodh katastrofa fiskale. ”

Të tjerë janë të shqetësuar rreth financimit të programeve sociale. Howard Kahn është drejtor ekzekutiv me LA Care, një sistem publik i kujdesit shëndetësor që mbulon më shumë se një milion njerëz. Ai thotë se kujdesi shëndetësor po kalon ndryshime për shkak të Aktit të Presidentit Obama për Kujdes Shëndetësor të Përballueshëm.(

“Jemi shumë të ngarkuar për t’i kushtuar kohën e duhur. Këtë e bëjmë në kohën e lirë gjatë mbrëmjeve”.

Ekonomistët shpresojnë se kongresi dhe presidenti do të arrijnë të paktën një marrëveshje të pjesshme për të mënjanuar greminën fiskale dhe më pas të zgjidhin detajet për reduktimit e borxhit gjatë muajve të ardhshëm.