Fjalimi i presidentit Obama mbi gjendjen e vendit

  • Dan Robinson

Fjalimi i presidentit Obama mbi gjendjen e vendit

Presidenti Barak Obama mban sonte fjalimin mbi gjendjen e vendit, gjatë të cilit ai pritet të përqëndrohet në sfidat me të cilat ndeshet vendi. Ky është fjalimi i tillë i dytë për zotin Obama, të cilin e mban në një atmosferë politike krejt ndryshe nga fjalimi i parë. Presidenti Barak Obama do të ketë përballë një balancë krejt ndryshe të pushtetit në Dhomën e Përfaqësuesve, kur të mbajë sonte fjalimin mbi gjendjen e vendit para Kongresit.

Republikanët kanë tani shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, madje ata kanë miratuar shfuqizimin e ligjit për kujdesin shëndetësor, që shihet si arritja kryesore e presidentit Obama. Ky hap ishte simbolik, pasi projekt-ligji nuk do të arrijë të kalojë në Senat, ku demokratët dhe të pavarurit ende përbëjnë shumicën.

Tradicionalisht presidentët i shfrytëzojnë fjalime të tilla për të vlerësuar gjendjen e vendit në të gjitha aspektet, duke filluar nga ekonomia deri tek politika e jashtme. Ata i përdorin këto fjalime edhe për të parashtruar axhendën e tyre, shpesh duke propozuar ide të reja për të parë se si do të priten nga publiku.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs thotë se zoti Obama ka të ngjarë të përqëndrohet në përpjekjet për rimëkëmbjen e ekonomisë.

"Hapat që presidenti beson se vendi ynë duhet të ndërmarë për të vazhduar rimëkëmbjen ekonomike, hapat që duhet të ndërmarrim në afat të shkurtër, që kanë të bëjnë me vendet e punës dhe hapat që duhet të marrim në afat të gjatë për të shtuar konkurencën dhe novatorizmin, që na bëjnë të mundur të krijojmë vendet e punës për të ardhmen".

Zoti Obama e mban këtë fjalim, ndërkohë që është shtuar ndjeshëm mbështetja e publikut për të.

Dhe kjo mbështetje ka ardhur si rezultat i disa fitoreve legjislative, mes tyre disa kompromise kontradiktore me republikanët për të zgjatur afatin e shkurtimit të taksave të miratuara nga ish presidenti Bush për të gjithë amerikanët si dhe zgjatjen e përfitimeve të papunësisë.

"Ne mund të mos jemi në gjendje të ndalojmë të gjitha të këqiat në botë, por një gjë e di, varet plotësisht nga ne se si sillemi me njeri tjetrin".

Shtimi i mbështetjes së publikut ka gjithashtu të bëjë me fjalimin që presidenti mbajti në Tusan të shtetit Arizona për nder të viktimave të incidentit të 8 janarit në atë qytet, ku bëri thirrje për qëndrime të qytetëruara.

Analisti politik John Fortier pranë Institutit Amerikan Enterprise, thotë se nëse presidenti do ta kishte mbajtur këtë fjalim menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit të kaluar, ai do të ishte në një pozitë më të dobët.

Por kompromiset që ai arriti me republikanët kanë krijuar përshtypjen se ai është pragmatist, diçka që amerikanët e vlerësojnë.

"Presidenti mund të shikohet tani se po lëviz në qendër, se po bëhet më pragmatist".

Fjalimin mbi gjendjen e vendit presidenti e mban ndërkohë që gati 150 mijë trupa amerikane janë ende në Afganistan e Irak dhe lufta në Afganistan nuk mbështetet aspak nga publiku amerikan. Zoti Obama do të nderojë përsëri sakrificat e bërë nga ushtarakët.

Cilado qofshin temat e fjalimit, është më se e sigurtë se presidenti Obama do të kandidatojë për t’u rizgjedhur.

Me një staf të ri në Shtëpinë e Bardhë për ta ndihmuar atë që të krijojë imazhin e një politikani të moderuar në vend të një liberali tepër të majtë, ndërkohë që bashkëpunon me republikanët, me një zë më të fuqishëm në Kongres, presidenti po krijon tashmë makinerinë politike për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.